Home / Lajme / ‘Karaibet i gjeni në Rivierën shqiptare’, mediat spanjolle: Mund të gjeni dhoma me 22 euro nata

‘Karaibet i gjeni në Rivierën shqiptare’, mediat spanjolle: Mund të gjeni dhoma me 22 euro nata

“Është zona më pak e njohur e Mesdheut, e megjithatë fsheh vende të magjishme që ia vlen të vizitohen, për më tepër, me një çmim shumë të përballueshëm!” Me këto fjalë nis artikullin media spanjolle ‘Vanitais’ për Rivierën shqiptare, duke e sugjeruar si një destinacion që nuk duhet humbur.

Teksa temperaturat janë të larta dhe çmimet po rriten çdo ditë e më shumë, pjesa më e madhe e turistëve kërkojnë vende të magjishme por me kosto të përballueshme, ndaj Shqipëria, më konkretisht bregdeti i jugut përmendet si alternativa e duhur kur mund të gjesh dhoma me çmim nga 22 euro për një natë deri në 100 euro. Jo vetëm çmimi por plazhet vlerësohen për peisazhe unike dhe cilësohen si ‘Karaibet e Europës’.

Artikulli i plotë

“Ka shumë mundësi kur zgjedhim destinacionin për pushimet tona. Jo më kot, ajo që shumica prej nesh dëshirojmë është të gjejmë një vend ku nuk kemi qenë më parë dhe të eksplorojmë pa shumë shpenzime. Duke marrë parasysh të gjitha këto, mundësitë nuk janë aq të mëdha sepse çmimet nuk ndalojnë së rrituri dhe njerëzit mbushin qytete dhe plazhe.

Për fat të mirë, ka ende disa cepa në hartë që nuk janë aq të njohura në mbarë botën, kjo gjë garanton që fluksi i njerëzve të jetë shumë më i pakët, dhe se do mundemi që të pushojmë atje me një kosto shumë të ulët. Doni një shembull?

Riviera shqiptare, bregdeti shqiptar në Mesdhe, për të cilin pak njerëz kanë dëgjuar dhe megjithatë është një vend plot me peizazhe unike dhe plazhe si në parajsë, sikur të ishin ishujt Karaibe.
Shqipëria është një nga vendet më të veçanta dhe më të panjohura të Europës Jugore. E vendosur në Gadishullin Ballkanik, kufizohet me Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Kosovën dhe Malin e Zi dhe gati tre milionë banorët e saj jetojnë në një territor të ngjashëm në madhësi me Galicia, një rajon në Spanjë me 2.7 milionë banorë.
Megjithatë, zona të cilës i referohemi për plazhet është ajo midis Vlorës dhe Ksamilit, 150 kilometra vijë bregdetare plot plazhe me ujëra të kristalta. Riviera shqiptare është e ndarë në detin Adriatik dhe Jon, por fama është në bregdetin e Jonit që duket si parajsë nga pamjet e saj unike. Nuk është për tu habitur që disa nga qytetet e kësaj zone janë zgjedhur për verën nga vetë shqiptarët, të cilët nuk e konsiderojnë mundësinë e largimit me pushime në një tjetër vend pasi i dinë magjitë e vendit të tyre.

Duke filluar me Vlorën, qyteti i tretë më i populluar në vend, pas Tiranës dhe Durrësit, si dhe porti i dytë më i rëndësishëm në Shqipëri pas Durrësit, ka plazhet më të mira në jug. Më konkretisht, Plazhin e Orikumit dhe gjirin që të con në Gadishullin e Karaburunit, ku mund të shkohet edhe me varkë.

Një nga gjërat që karakterizon rivierën shqiptare është fakti se disa nga plazhet e saj janë të rezervuara për të privilegjuarit sepse janë private. Të tjerët, nga ana tjetër, kanë akses të kufizuar sepse mund të arrihen vetëm me varkë pasi janë limane sekrete. Sido që të jetë, ia vlen që një ditë të shijohen këto plazhe për shkak të ngjashmërisë që ato kanë me Karaibet.

Nga Vlora, mjafton të ndiqni rrugën SH8 që përshkon më shumë se 100 kilometra përgjatë bregut të Jonit mes shkëmbinjve, maleve dhe pamjeve panoramike. Kjo është bërë e njohur edhe nga filmimi i një episodi të serialit “Top Gear”. Më pas mbërrin në Parkun Kombëtar të Llogarasë, i karakterizuar nga bimësia, malet dhe liqenet, edhe me ujë të kristaltë.

Nuk mund të na mungojë as pjesa e bregdetit ku ndodhet Ksamili. Ndryshe nga pjesa më e madhe e bregdetit të Jonit të Shqipërisë, plazhet e saj janë me rërë të bardhë dhe ofrojnë pamje unike të perëndimit të diellit. Në këtë zonë, hotelet dhe restorantet kanë kontrollin e shumë prej tyre dhe praktikisht është e detyrueshme marrja me qira e një çadre me 2 shezlong për të pasur një vend pranë detit duke qenë se ka fluks të madh.

Sa ki përket çmimeve të akomodimit, e vërteta është se ato janë çuditërisht të përballueshme. Kështu, në platforma të tilla si Booking, mund të gjejmë hotele, apartamente dhe ‘bujtina’ për afërsisht 22 euro për natë. Sigurisht, sa më shumë t’i afrohemi bregut dhe sa më shumë komoditete të kërkojmë, çmimi do të rritet. Megjithatë, ka hotele me katër yje që ofrojnë dhoma për më pak se 100 euro.

Po ashtu, fluturimet drejt Shqipërisë në korrik janë rreth 200 euro, ndërsa nëse zgjedhim të udhëtojmë në gusht shkojnë në 150 euro, ndërsa në shtator mund të gjenden biletat me më pak se 100 euro. Me pak fjalë, Shqipëria është një alternativë udhëtimi jo aq e njohur nga shumica e njerëzve, dhe një nga destinacionet më spektakolare”, shkruhej në artikull.

Rreth korcajone.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *