Home / Lajme / Të riut i sekuestrojnë makinën në Shqipëri, e gjen poshtë tre makinave të tjera në pikën e grumbullimit

Të riut i sekuestrojnë makinën në Shqipëri, e gjen poshtë tre makinave të tjera në pikën e grumbullimit

Fiks Fare denoncoi veprimet e punonjësve të pikës së bllokimit të makinave në Vlorë, të cilët kanë “masakruar” mjetin e një qytetari.

Në redaksinë e emisionit investigativ u ankua Erald Hodaj, i cili fillimisht dërgoi te Fiksi disa video të makinës brenda pikës së bllokimit. Nga pamjet dukej se makina ishte e shkatërruar, pa goma, pa pjesë të tjera, madje e vendosur poshtë disa makinave të tjera. Pas dërgimit të këtyre pamjeve, grupi i Fiks Fare udhëtoi në Vlorë, në vendin që mbahen makinat e bllokuara.

Fillimisht, Eraldi tregoi të gjithë kalvarin e automjetit të tij, për të cilin thotë se është befasuar kur pa se mjeti i tij, tip BMW me targa AA 185 KC, e cila i është bllokuar një shokut të tij në 2019, ishte shkatërruar. Ai tha se në atë pikë mjeti kishte rreth 2 vite e gjysmë dhe, makinat konfiskohen kur kalon një kohë prej 10 vitesh. “Mjeti është në pronësinë time. I ishte bllokuar një shokut që ia kisha lënë. Para pak ditësh kam marrë vendimin e zhbllokimit nga Prokuroria e Vlorës dhe kam shkuar për të parë se çfarë kishte ndodhur me atë automjet”, tregon Eraldi, ndërsa ai moment ka qenë befasues.

Mora vendimin dhe erdha për të parë mjetin. Kur ç’të shoh, makina ime ishte poshtë një grumbulli të madh makinash. I kanë vjedhur gomat, disqet, i kanë marrë pjesët. Gjithçka. Makina ishte në gjendje pune, erdhi me këmbët e veta këtu. Tani nuk e njoh më. Vendi ruhet 24 orë në 7 ditë, por jo për makinën time. Unë ia lashë shtetit, po shteti s’e ka ruajtur” thotë Eraldi, ndërsa shpjegon se nuk di si të veprojë tani.

Pas ankesës, Eraldi shkon për të parë sërish mjetin, i cili është në të njëjtin vend, në pikën e bllokimit të automjeteve. Ai bisedon me një punonjës policie, i cili i thotë se makinat në këtë vend ruhen deri në 10 vite. Por, kur i tregon se çfarë i kishte ndodhur mjetit të tij, polici habitet. “Hidhi në gjyq” i thotë disa herë polici denoncuesit, por Eraldi beson se, s’ka kohë të sorollatet në procese gjyqësore.

Më pas, grupi i Fiks Fare, bashkë me Eraldin, shkojnë te pika e bllokimit. Por, vetëm pikë bllokimi nuk ishte! Vendi ishte i hapur, madje makinat liheshin në anë të rrugës dhe fare mirë mund të ishin objekt i ndonjë zhvatje të mundshme. Gazetarët e Fiksit tentojnë që të shkojnë të mjeti i Eraldit, por punonjësi i policisë nuk i lejon. Ai i thotë denoncuesit se duhet të marrë një urdhër zhbllokimi nga Policia Rrugore dhe të vijë ta marrë. Gazetarët e pyesim se përse sipër makinës së këtij qytetari janë vendosur të tjera. Ai thotë se kështu e ka gjetur dhe se duhet të pyesë në vend tjetër. Eraldi këmbëngul duke i thënë se pjesët janë vjedhur, nga disqet, dhe pjesët e tjera.

“Këtu i vjedhin. Duhet të ruhen nga policia, po këta i vjedhin vetë”, përfundon Eraldi. Vendi i bllokimit të këtyre mjeteve është i parrethuar. Një pjesë mbahen anës rrugës, të tjerat sipër njëra tjetrën, duke ngritur dyshimet e qytetarëve se në këtë vend vidhen pjesët e makinave.

Rreth korcajone.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *