Home / Lajme / Taksisti shqiptar gjen portofolin e futbollistit të Bajern Mynih dhe ia kthen, por nuk kënaqet me shpërblimin

Taksisti shqiptar gjen portofolin e futbollistit të Bajern Mynih dhe ia kthen, por nuk kënaqet me shpërblimin

Një shofer taksie shqiptar në Mynih është bërë protagonist i një historie shumë të veçantë ku është përfshirë edhe portieri i Bajern Mynih dhe Gjermanisë, Manuel Nojer. Një udhëtim në taksinë e tij nga portieri gjerman, ka sjellë më shumë pakënaqësi sesa lumturi për Hazir Stubllën, i cili në fakt kreu një gjest mjaft të bukur përkundrejt futbollistit.

Pasi Nojer përdori taksinë e tij, Stublla zbuloi se ai kishte lënë aty portofolin me dokumente identifikimi, kartën e bankës si dhe rreth 800 euro. Ai u sigurua që Nojer të vihej përsëri në pronësi të sendeve të humbura, por shpërblimi që mori për këtë ishte qesharak sipas tij, pasi ishte vetëm një fanellë e portierit gjerman.

“Jam i zhgënjyer. Zakonisht të gjithë, edhe më të varfrit, të lënë bakshish dhe janë të lumtur dhe shumë mirënjohës duke të të falënderuar kur ata harrojnë dokumentet dhe ti ia dërgon përsëri”, tha ai për “BUNTE.de”. “Të gjithë janë të lumtur. Dhe Manuel Nojer nuk është se nuk ka asgjë. Do të ishte diçka e mirë nëse ai do të mbulonte të paktën shpenzimet për rreth 400 euro të udhëtimit”, shpjegoi ai duke treguar se e kishte kërkuar fillimisht në shtëpi në Mynih, pastaj në shtëpinë e tij jashtë qytetit e më pas ia kishte dorëzuar portofolin menaxherit të tij. Edhe fanella, i kishte mbërritur me postë, pasi ia kishte kërkuar.

Zhgënjimi i madh vinte nga fakti se nuk kishte marrë as një falënderim për këtë veprim të tijin.

“Edhe të Bajerni më injoruan plotësisht. Ai mori dokumente, dhe pastaj vjen një kuti pa një faleminderit, asgjë tjetër veç një fanellë. Sigurisht që do të dëshiroja që të më kontaktonte. Ai duhej të më thotë shumë faleminderit, të mbulojë këto shpenzime dhe jeta vazhdon si normalisht. Nëse hipën në taksinë time, unë do ta dërgoj kudo si gjithmonë”, vijon taksisti shqiptar.

“Unë e di që ai është ende në Uashington me klubin. Nuk jemi në luftë më njëri-tjetrin, nuk kam asgjë kundër tij, përkundrazi, e ndihmova. Tani jam kureshtar të shoh se çfarë do të vijë prej tij”, theksoi Stublla i cili pranon se një takim me të dhe katër fëmijët e tij do të ishte shumë i këndshëm. “Do të ishte shumë e mirë”, pranoi ai. “Kam dy princër dhe dy princesha, të gjithë luajnë futboll në klub dhe janë tifozë të Bajernit. Jam një prind i vetëm, për fat të keq gruaja ime na la tre vite më parë, ajo u nda nga jeta si pasojë e kancerit. Si një baba me katër fëmijë, nuk mund të bëj asgjë me një fanellë”, ishin fjalët e 48-vjeçarit.

“Unë kam qenë një tifoz i Bajern Mynih, por nga tani e tutje do ta kem të vështirë ta shoh kështu. Por do të veproja përsëri në të njëjtën mënyrë. Nuk ka rëndësi se kush është, unë kam një përgjegjësi, bëj detyrën time, kam qenë një person i ndershëm në gjithë jetën time dhe në një moment, herët a vonë, Zoti do të kthejë diçka”, deklaroi Hazir Stublla.

Rreth korcajone.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *