Kryeministri Edi Rama ka debatuar gjatë konferencës së sotme me gazetarin Klevin Muka, pasi ky i fundit ka pyetur ministren Olta Xhaçka në lidhje lajmet se bashkëshorti i saj ka marrë statusin e investitorit strategjik. Rama nuk la ministren të përgjigjej por e mori fjalën vetë.
“Tani, këtu përgjigjen do ta jap unë. Do kalosh në riedukim si Ambrozia për tre muajt e ardhshëm. Nuk je i mirëseardhur në asnjë konferencë shtypi”, i tha Rama gazetarit, i cili insistoi në një përgjigje duke ju referuar Kodit Etik të Këshillit të ministrave.
“Pa problem. Kodi Etik a do zbatohet apo jo, kjo ishte pyetja ime. Nuk e kuptoj se çfarë ka këtu, nëse vetë ju keni thënë se do ketë sanksione për ata ministra që nuk e zbatojnë Kodin Etik, deri në largim nga puna”, vijoi gazetari Klevin Muka.
Debati i Ramës me gazetarin:
Gazetari: Zonja ministre, më 29 prill të këtij viti ka hyrë në fuqi Kodi i ri Etik për Këshillin e Ministrave, i cili ndalon dhe parashikon sanksione deri në largim nga detyra për të gjithë ministrat që e shkelin. Një ndër pikat e këtij Kodi Etik është që ministrat nuk duhet të takohen me biznesmenë, duhet të takohen vetëm në kushtet kur janë në praninë e dy punonjësve të administratës. Ju personalisht e keni zbatuar këtë pikë, e keni takuar bashkëshortin tuaj biznesmen dhe investitor strategjik nën shoqërinë e dy punonjësve të administratës apo e keni shkelur?
Edi Rama: Tani, këtu përgjigjen do ta jap unë. Do kalosh në riedukim si Ambrozia për tre muajt e ardhshëm. Nuk je i mirëseardhur në asnjë konferencë shtypi.
Gazetari: Pa problem. Kodi Etik a do zbatohet apo jo, kjo ishte pyetja ime. Nuk e kuptoj se çfarë ka këtu, nëse vetë ju keni thënë se do ketë sanksione për ata ministra që nuk e zbatojnë Kodin Etik, deir në largim nga puna.
Edi Rama: Kjo është një tjetër shkelje e Kodit Etik të gazetarit në një konferencë shtypi, që vazhdon me mikrofon dhe mban fjalime. Siç pe me Ambrozian, komunikimi ishte perfekt, pyetja ishte siç e deshi vet, përgjigja ishte shumë korrekte. Dhe kështu do jenë gjithmonë përgjigjet për të gjitha pyetjet korrekte. Për pyetje të përsëritura, pa asnjë etikë, ka një proces që quhet riedukim 3 muaj.
Përgjigjen e radhës ti do ta marrësh mbas 3 muajsh, që i bie korrik, gusht, shtator. Në konferencën e tetorit hajde, je i mirëpritur dhe shpresoj dhe i riedukuar për të marrë përgjigje. Në Kodin Etik të gazetarit dhe të konferencës së shtypit, ka një normë të thjeshtë që quhet respekt. Kaloi mikrofonin koleges të lutem shumë.