Home / Diaspora / Gjermani/ Kleisa Kapllani: Fotografia dhe infermieria më mësuan të dua jetën

Gjermani/ Kleisa Kapllani: Fotografia dhe infermieria më mësuan të dua jetën

Nëse i krijon vetes kohë, arrin gjithçka. Me këtë në mendje Kleisa Kapllani, infermiere në profesion por jo vetëm, pasi fotografinë e ka në valixhen e saj të talenteve dhe dëshirave që në vogëli, shkoi në Berlin, për të arritur gjithçka që mundet dhe të fitojë një eksperiencë të re.

Në këtë intervistë për “Diaspora Shqiptare” Kleisa na rrëfen vështirësitë e saj të fillimit në Gjermani, jetën mes infermierisë dhe fotografisë, që për të janë të pandashme, që asaj i kanë mësuar si të dojë njeriun, jetën dhe të bukurën. Kleisa hyn tek ata të rinj që e mendojnë rikthimin në vendlindje për të dhënë kontributin e tyre, por më parë i duhet të fitojë eksperienca të reja që sipas saj fatkeqësisht në Shqipëri nuk i ofrohen dhe pse jo dije që mund ti zbatojë kur të rikthehet.

Kleisa përfunduar studimet për infermieri në Shqipëri dhe u larguat drejt Gjermanisë disa vite më parë. Në fakt është ende aktuale largimi i bluzave të bardha jashtë vendit. Cilat ishin arsyet që të shtyn drejt këtij vendimi?

-Largimi im nga Shqipëria nuk lidhet domosdoshmërisht me largimin e bluzave të bardha,dhe pse kjo e fundit shtohet çdo ditë e më shumë. Largimi im lidhet më tepër me të jetuarit ne një vend me standarde të larta europiane, si Gjermania. Lidhet me dëshirën për një eksperiencë te re, e cila do të më shërbejë gjithë jetën.

Përsa i përket vështirësive, cdo fillim është i vështirë, e aq më tepër në Gjermani, një vend me ligje e rregulla të forta. Rregulla të cilat në Shqipëri nuk i njihja, e sado të forta dhe të vështira na duken, aq më shumë na përmirësojnë jetesën. Duke nisur këtë rrugëtim komplet e vetme, kam hasur shumë vështirësi gjate vitit të parë të jetesës në Gjermani. Fillimisht në zyra e administrata për procedurat ligjore mbi lejen e qëndrimit. Më pas në punë, nje botë komplet e re. Përshtatja me kolegët dhe vështirësia e të kuptuarit shumëllojshmërine e thekseve të tyre gjuhësore. Por ja dola. Gjithçka kaloi shumë shpejt.

Në fakt Kleisën sot e njohim si fotografe. Një pasion i lindur ky dhe një ëndërr që ishte gati në sirtar dhe u hap sapo iu dha mundësia, apo ishin synimet tuaja kur shkuat në Gjermani?

– Fotografia është një pasion i cili më ka shoqëruar gjatë fëmijërisë, adoleshencës e deri më sot. Është një pasion i cili prej 8 vitesh është kthyer në profesion…E ska gjë më të bukur sesa kjo…Dy vite para se te nis rrugëtimin tim drejt Gjermanisë kam pasur gjithashtu edhe studion time fotografike në qytetin e Tiranës. Ky nuk ka qenë synim për të ardhur ne Gjermani, pasi është një profesion të cilin do e ushtroj kudo të jem. Por dëshira e madhe për të njohur e fotografuar vende të reja, njerëz të rinj, kulturë të re, frymë e re jetese… këto lidhin fotografinë me ardhjen time në Gjermani.

Një infermiere në profesion që dashuron fotografinë. E para në shërbim të shpëtimit të jetës dhe e dyta në fotografimin e copëzave të jetës. Cila është lidhja mes tyre për ju dhe kë dashuroni më shumë?

– Kjo është një pyetje po aq sa e bukur, edhe e vështirë. Të dyja bashkë lidhen me qënien njerëzore. Lidhen me dashurinë…me të bukurën… me humanizmin. I dashuroj të dyja profesionet e mia. Këto më kanë mësuar si të dua njeriun dhe jetën. Më kanë mësuar të njoh të bukurën.

Nga punimet tuaja fotografike kemi parë foto që përshkruajnë dashurinë njerëzore, dashurinë për të ardhmen, vogëlushët. Pjesa më e madhe e tyre janë të bëra në natyre apo në mjedisin urban ku jetojmë. Çfarë dëshironi të përcillni përmes tyre?

-Fotot më së shumti janë realizuar në shtëpinë tonë të përbashkët ,në natyrë. Aty përveçse gjej frymëzimin tim, arrij t’ju jap klientëve rehatinë, freksinë, lirshmërinë që te fal natyra. Gjithashtu drita natyrale më ndihmon që përmes objektivit tim të realizoj idetë e menduara. Mes fotografisë mundohem të përcjell dashuri për të bukurën, për njeriun, për vazhdimësinë…

Sa e vështirë është të ecësh para në ëndrrën tënde jashtë vendit, ku është Kleisa sot?

-Aspak e vështirë. Madje ëndrrat janë akoma më të prekshme. Ekzistojnë mundësi të pafundme krijimi e punësimi. Ekzistojnë gjithashtu ligje në ndihmesë të bizneseve te reja .Nëse ke ëndrra e dëshira, nuk ka asgjë që mund të të pengojë. Gjithçka që të duhet është koha. Nëse i krijon vetes kohë, arrin gjithçka.

Cilat janë planet tuaja për të ardhmen, dhe sa përfshihet Shqipëria në to. Jeni tek ata të rinj që shpresojnë që një ditë të kthehen për të dhënë kontributin e tyre?

-Patjetetër që po. E mendoj rikthimin në Shqipëri dhe dhënien e kontributit tim me kënaqësi në një të ardhme. Por fillimisht më duhet të mësoj më shumë e të provoj eksperienca të reja ne profesionet e mia, të cilat fatkeqësisht nuk më ofrohen në Shqipëri. Pavarësisht larg trojeve shqiptare, aq më shumë më merr malli për vendin tim, kulturën time, familjarët e mi dhe shoqërinë./ Diaspora Shqiptare

Rreth korcajone.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *