Home / Diaspora / Përvoja 15 vjeçare e Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit New York

Përvoja 15 vjeçare e Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit New York

Si bashkëthemeluese dhe mësuese e Shkollave Shqipe “Alba Life”, që operojnë në të gjitha lagjet e Nju Jorkut dhe në Online për një periudhë rreth 15 vjeçare sjellë pranë jush me krenari se Shkolla Shqipe “Alba Life” është një histori suksesi për shkak të misionit kombëtar që mbart dhe rritjes së numrit të nxënësve. Nuk do të bej teori për Gjuhën Shqipe, por do të flas me fakte dhe vepra reale rreth mësimit të Gjuhës Shqipe në Diasporë, kur tragjikisht miliona shqiptarë ndër shekuj po e humbasin të folurën dhe të shkruajturin e Gjuhës Shqipe. Të gjithë këta miliona shqiptarë që nuk flasin shqip nuk i kuptojnë dot teoritë, por duan veprim konkret, mësim shqip që t’ju hyjë direkt në gjak.

Kur në klasa, auditoriume, skena interpretohet gjuha shqipe kam besuar se Zoti është ulur pranë dhe ka prekur zemrat e vogëlushëve për mos ta harruar kurrë Gjuhën Shqipe.

Duke pasur privilegjin të jem mësuese e Gjuhës Shqipe midis dy kontinenteve doemos që jam frymëzuar pa kushte nga thesari i çmuar pedagogjik i elitës kombëtare. Sa herë jam ndalur para klasës dhe gati duke prekur qiellin kam interpretuar vargjet për Gjuhën Shqipe nga Fishta i Kombit. Fjala e tij rrjedh e gurgullon nëpër dejet e mësuesit si në këto vargje:

“Nëpër gjuhë shqipe bota mbarë/ Ka me ju njoftë me ç’fis ju keni/ Ka me ju njoftë ju për shqiptarë/ Trima n’za sikurse jeni”

Sigurisht që puna e stafit dhe e mësuesëve të shkollës sonë, nuk ka qenë e lehtë pasi aktualisht gjuha shqipe nuk është pjesë e programeve amerikane të nxënësve si gjuhë e dytë, prandaj ne jemi ndeshur edhe me vështirësi për regjistrimin e nxënësve, por me përkushtim kemi munduar të zgjidhim edhe vështirësitë e shtrirjes së madhe që ka Nju Jorku duke hapur degë në çdo lagje te tij.

Gjatë gjithë aktivitetit të saj shkolla jonë vëmendjen kryesore e ka përqëndruar në rritjen e cilësisë së mësimdhënies pasi ky është edhe faktori kryesor që e bën nxënësin dhe prindin të jetë i interesuar për mësimin e Gjuhës Shqipe. Dihet mirë që fëmijëve në fundjavë ju pëlqejnë më shumë aktivitetet sportive dhe argëtuese, prandaj ora e mësimit të gjuhës shqipe duhet të bëhet cilësore që të ngjalli interes tek nxënësit. Dhënia cilësore e mësimit dhe përgatitja me metoda didaktike e pedagogjike nga mësuesit e kualifikuar kanë bërë që Shkolla Shqipe “Alba Life” nga një shkollë të vetme që e hapi 15 vjet më parë në Staten Island të bëhet me shkolla në të gjithë Nju Jorkun. Ky është një sukses dhe një sfidë qe ju kemi bërë vështirësive.

Sipas planit të drejtorisë së shkollës çdo vit në javën e fundit të muajit gusht kemi organizuar seminare me mësuesit e shkollës sonë për t’u njohur me të rejat në programet mësimore e regjistrimet e reja si dhe për të shkëmbyer përvojat e mësuesëve, por vitin e shkuar duke patur parasysh që ishte vit i pandemisë punuam më fort dhe bëmë një punë më intensive gjatë gjithë muajit gusht.

Zhvilluam seminare për përgatitjen e mësuesëve për të përdorur platformën “Google Meet” për të dhënë mësim në Online. Çdo mësues përgatiti dhe prezantoi një mësim të hapur para se të fillonte shkolla dhe e shfaqi para stafit të shkollës. Kjo metodë bëri që secili mësues të ndihej më i sigurtë për t’i përballuar vështirësitë teknike që kishte platforma “Google Meet”.

Gjate vitit mësimor ne zhvillojme pesë programe artistike kushtuar: Pavarësisë së Shqipërisë, festat e fundvitit, Pavarësisë së Kosovës, 7 Marsit dhe mbylljes së vitit akademik. Kete vit themi me krenari se zhvilluam festivalin për herë të parë me shkollat shqipe “Alba Life” nëNew York ku ishte tejet i suksesshëm.

Përgatitja e mësimit nga mësuesit e Shkollës Shqipe “Alba Life” është bërë duke përzgjedhur e përshtatur të gjitha materialet didaktike e tekstet e miratuara në ministritë përkatëse të Shqipërisë dhe Kosovës. Çdo mësues bën një përgatitje për çdo orë mësimore përdor Power Point të shoqëruara me figura dhe vidio të ndryshme. Ato e kanë bërë më interesante orën e mësimit pasi siç dihet nuk është e lehtë të mbash para ekranit një fëmijë një orë të tërë mësimore pa një përgatitje cilësore.

Une dua të përmend se shumë nxënës që vinë pranë shkollës sonë kur dalin në jetë ata kthehen kur kanë mundësi dhe të takojnë plot nostalgji dhe mall.

Psh. një nxënës në universitet më shkruajti një leter shumë të bukur dhe mallëngjyese që më përloti pasi ndjeva nga afër përvojen e shkollës në mësimin e gjuhës shqipe.

Me njohjen e historisë dhe të figurave të rëndësishme gjatë procesit mësimor kanë ndikuar pozitivisht takimet virtuale si dhe fizikisht me disa figura të rëndësishme. Po përmend së fundmi vizitën e kryeministrit të Kosovës z.Albin Kurti, të zv/kryeministers Donika Gërvalla të Ambasadores së Shqipërisë ne Washington D.C. znj. Floreta Faber, dhe me mjaft interes nxënësit e shkollës sonë kanë ndjekur përshëndetjet e Presidentit të parë të Kosovës z.Fatmir Sejdiu, Kongresistit Joe DioGuardi, Ambasadorit Amerikan William Walker, Ambasadores së Shqipërisë ne Washington D.C. znj. Floreta Faber, minisrit të jashtëm të Shqipërisë z.Ditmir Bushatit, Ambasadores Teuta Sahaqija, Ambasadorit Frymëzim Isufaj, e shumë të tjerë.

Mjaft prindër na kanë shkruar dhe përgëzuar se sa shumë ka ndikuar metoda e mësimdhënies në formimin e fëmijëve të tyre duke i përgatitur ata për të njohur rrënjët e të parëve, Atdheun e tyre dhe historinë e lavdishme. Nxënësit kanë fituar shkathtësi dhe shprehi gjuhësore, nëpërmjet kallëzimit, shpjegimit, demonstrimit, vidiove virtuale, përsëritjes si dhe ushtrimet nëpërmjet teksteve përkatëse. Mësueset në bazë të metodave pedagogjike me formën e të përshtaturit të veçorive të moshës së nxënësve e zbatojnë si një parim te rëndësishëm të didaktikës që mbështetet në teorinë e njohjes.

Kjo përvojë e jashtëzakonshme e Shkollës Shqipe “Alba Life” ka sjellë rritjen e cilësisë në mësimdhënie duke tërhequr vazhdimisht shumë nxënës nga të gjitha lagjet e Nju Jorkut dhe kjo punë profesionale është realizuar në bashkëpunim të ngushtë me koordinatorët, të gjithë mësueset e Shkollës Shqipe “Alba Life”, të cilat gjej rastin t’i falënderoj publikisht në këtë takim me Pegasianët.

Gjuha Shqipe nëpër këto shkolla ndihet më e zjarrtë, far ndriçues, ndjellëse e zemrave për të ndihmuar Atdheun nga fëmijët e Diasporës, të cilët ndodhen në çdo cep të globit.

Shkolla është bërë e pandarë me binomin Komb dhe Gjuhë Shqipe.

GJUHA SHQIPE NA BASHKON!

Ju falënderoj për vëmendjen tuaj të dashur kolege dhe ju uroj suksese!

Përgatitur për veprimtarinë ndërkombëtarë në favor të gjuhës shqipe dhe identitetit, organizuar nga Akademia Alternative Ndërkombëtare “Pegasi” dhe platforma “Successful Mothers” Londër,

*Autorja ka marrë titullin: Kalorësi i Urdhrit të Flamurit, është shkrimtare, poete, publiciste, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe në New York “Alba Life” Ambasador i Kombit.

Rreth korcajone.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *