Home / Lajme / Intervista/ Estela Ruka, kur mjekësia bashkohet me artin

Intervista/ Estela Ruka, kur mjekësia bashkohet me artin

Shqipëria vuan plagën e madhe të emigracionit në kushte masive, që nga periudha më e hershme e tranzicionit. Ajka e Shqipërisë ka derdhur “trurin” e saj nëpër botë, për një jetë më të mirë dhe një të ardhme më të begatë. Atje ku shkel këmba e çdo shqiptari, lë gjurmë dhe përshtypje pozitive për ne të gjithë si komunitet, por duke e vendosur kombin në altarin e nderit dhe dijes. Emigrantët shqiptarë nëpër botë, por me shpirt dhe zemër te rrënjët e origjinës, kanë arritur të gjejnë veten duke shënuar suksese të njëpasnjëshme në karrierat e tyre respektive.

Shumë artistë shqiptarë, nëpër botë, kanë lëvruar artin e tyre të bukur, duke depërtuar në ndjeshmërinë e shpirtit të publikut dhe duke dhuruar emocione dhe gëzim të papërshkrueshëm. Arti është ushqimi i shpirtit, i cili ka fuqinë magnetike për të na çuar peshë dhe për të na dërguar të jetojmë një botë krejt tjetër optimiste, me ngjyra, me pozitivitet dhe energji. Arti ka fuqinë të shpërthejë ato skuta të fshehura të mendjes, që kanë aftësi të çlirojnë atë energjinë e cila të shtyn të bësh gjëra të bukura, që nuk i kishe menduar më parë. Arti është hyjnor, profan, i cili e vendos trurin në një lëndinë me gjelbërim, ndërsa drita e udhëheq drejt së panjohurës, ashtu siç shpirti e dashuron qenien dhe universin; është frymë, jetë, dashuri, ngjyra, emocion! Atë e praktikojnë njerëz guximtarë, që arrijnë të shkojnë përtej imagjinatës të së përditshmes, duke jetuar pafundësinë e së bukurës. Qëllimi i artit është të pastrojë pluhurin e jetës së përditshme nga shpirtrat tanë, thotë Pablo Picasso. Por, çfarë e bën bashkë artin me mjekësinë?

Estela Ruka, me profesion mjeke stomatologe, ka emigruar për më shumë se tre vite në Nju Jork, në kryeqendrën e botës, dhe si shumë shqiptarë e ka gjetur shumë shpejt veten. Vajza nga qyteti i njëmijë e një dritareve, ka arritur që në profesionin e saj si mjeke, të cilin e ushtron edhe në SHBA, t’i bashkojë qenies së saj edhe artin pamor të pikturës. Pasi e ka ushtruar hobin e saj në kohë të lirë, Estela ka vendosur të grumbullojë punimet e saj dhe të hapë një ekspozitë në muajin shtator, në Nju Jork.

Stili i saj është abstraksioni, pasi ajo i jep mundësi lexuesit të shkojë përtej mendimit dhe imagjinatës, duke i lënë hapësirë të kuptojë pikturën sipas dëshirës së shpirtit. Ajo thotë se piktura i jep qetësi, shkarkon stresin dhe e ndihmon ta shikojë jetën veç me ngjyra. Në një bashkëbisedim, Estela rrëfen emigrimin drejt SHBA-ve, profesionin si mjeke dhe hobin e saj, pikturën. I urojmë suksese dhe frymëzim për më shumë punime të bukra për syrin e shpirtit.

Përshëndetje Estela! Emigrimi është një plagë e madhe për Shqipërinë, pasi në çdo vend të botës do të takosh shqiptarë që flasin shqipen e bukur, të cilët kanë ndërtuar folenë e tyre të dytë, me shumë mundim dhe sakrificë. Me dhimbje duhet ta pranojmë se ajka e Shqipërisë janë larguar për arsye që dihen tashmë, ndërkohë që me intelektin e tyre mund të rindërtonin atdheun, duke hedhur çdo ditë një gur themeli. Çfarë ju bëri të largoheni nga Shqipëria, dhe si keni arritur të gjeni veten e të integroheni në një shtet të ri, me një kulturë ndryshe?

Një pyetje të tillë ka mundësi t’i përgjigjem gjatë e gjerë, pasi të gjithëve besoj se na dhemb emigrimi, por po i bie më shkurt dhe po ju them se, kurrë s’e kam dashur emigrimin, kurrë s’kam dashur të largohem nga vendi im i bukur, me gjithë problematikat që ka. Kur të tjerët largoheshin nga Shqipëria, unë fillova studimet e larta në Mjekësi, në vitin 1992, Dega Stomatologji. Me këmbënguljen e madhe që të bëhesha dikush profesionalisht dhe t’i shërbeja vetes e familjes, por, sigurisht, dhe vendit tim më mirë. Unë kam vetëm 3 vite e gjysëm që kam emigruar në SHBA; kjo u mundësua nga bashkimi familjar me prindërit, të cilët janë qytetarë amerikanë. Meqë m’u dha kjo mundësi, vendosa të vij për të shkolluar vajzën në të Mesmen, ndërsa në të Lartën këtë vit. Nuk mendova shumë për veten, megjithëse, sapo erdha, gjeta punë në një klinikë dentare.

Ju jeni me profesion mjeke-stomatologe, të cilin e ushtroni tashmë edhe në Nju Jork, në shtetin ku jetoni. Sa e vështirë ka qenë për ju të përshtasni profesionin tuaj, me kushtet e reja, në një vend të ri, me kulturë dhe gjuhë tjetër?

Profesionalisht, dua të theksoj se mjekët shqiptarë janë tepër të përgatitur, pasi në Shqipëri edhe sot klinikat dentare punojnë me teknologjinë e fundit, ndërsa në USA jo të gjitha klinikat janë të pajisura me teknologjinë bashkëkohore. Për mua nuk ka qenë e vështirë ta gjeja veten në profesionin tim, sa për gjuhën dua të theksoj se gjyshi im ka shkruar një fjalor Anglisht – Shqip, të cilin e botuam në demokraci dhe u shkruajt në kushte buru të Burrelit. Njerëzit e kulturuar dhe intelektualët shqiptarë, e kanë mësuar dhe ushtruar anglishten, (si dhe gjuhë të tjera) shumë e shumë vite më parë, do të thosha. Lulëzimi i gjuhëve në Shqipëri ka qenë shumë më parë, se në kohën e Zogut. Si rrjedhojë, anglishtja, për mua ka qenë detyrë shtëpie që nga prindërit e mi. Kultura e popujve me pak fare ndryshim është pothuajse e njëjtë, sigurisht ndryshojnë traditat, dhe, për mua, më të bukurat janë ato shqiptare.

Estela, unë doja të ndalesha te pasioni juaj për pikturën. Cila është ajo pikë konverguese, që ka bërë bashkë në një qënie të vetme, mjekësinë dhe artin, te ju? Si e keni zbuluar pasionin për pikturën, dhe sa e rëndësishme është për ju, lëvrimi i fushës së artit?

Arti, te unë, pothuajse ka lindur bashkë me mua, jam marrë me aktivitete artistike që në moshën 7 vjeçare, ku më pas spikata si soliste vallesh, prezantuese e këngëtare në Ansamblin “Mirëdita”. Për mua, arti është jetë ku gjej të bukurën! Mësimet e para në pikturë i kam marrë që në shtëpinë e pionierëve; gjithmonë kam dashur ta ushtroj, por impenjimet e ndryshme e të shumëllojshme nuk më jepnin kohën e duhur. Me ardhjen në USA, ndryshoi një pjesë e madhe e rutinës sime, në pasditet e mia mendova të ushtroj pikturën si diçka e parealizuar brenda meje. Fillova të pikturoj, sidomos në kohën e covid-it, ishte jo vetëm një punë e bukur, por dhe një terapi e shëndetit mendor për të kaluar stresin që përjetonim. Unë e zhvillova pikturën, duke pare video në Pinterest për teknikat, dhe zgjodha teknikën time atë, që më pëlqente më shumë.

Në cilin zhanër artistik do ta klasifikonit stilin tuaj të të pikturuarit?

Zhanri im është abstraksioni, që do të thotë të tejkalosh mendimin që jep në pikturë, për të lënë shikuesin të mendojë dhe gjejë, sipas mënyrës së tij, kuptimin e pikturës. Nënvizoj këtu se nuk më pëlqejnë punët abstrakte, që shfaqin vetëm ngjyra pa kuptim, si te disa piktorë që shohim rëndom. Çdo pikturë absrakte duhet të ketë mendimin brenda, që mund të zhvillohet në artin pamor. Abstraksioni për mua është më i bukuri. Në lidhje me Stomatologjinë, piktura ndihmon shumë, sepse dentistja në vetvete është shkencë plus art. Nëse do zgjedhim dhe krahasojmë ngjyrën e bardhë, për të përshtatur ngjyrën e çdo pacienti. Dentisti duhet të ketë idenë e ngjyrave, të bardhë me pigment gri, të bardhë në blu, të bardhë në të verdhë, në kafe, etj.

Cili është piktori juaj i preferuar, që ju frymëzon?

Ka shumë piktorë që mua më frymëzojnë, që nga ata klasikët e deri te miqtë e mi piktorë. Por mua më frymëzojnë ngjyrat dhe gjetja e tyre, përshtatja me njëra-tjetrën, e cila është gjysma e punës në pikturë. Unë kam zgjedhur të jem vetvetja në pikturë, duke qenë shumë optimiste si natyrë luaj me ngjyrat në atë mënyrë që t’ju përcjell optimizëm shikuesit, dhe pse gjendja e një pikture mund të jetë melankolike, dua të shihet në aspektin pozitiv.

Piktura përcjell gjendjen emocionale apo dëshirën për ta parë veten dhe botën me sytë e shpirtit. Cila do të ishte tabloja e jetës suaj?

Tabloja e jetës sime në pikturë është optimizmi i përcjellë midis ngjyrave, gjetja e të bukurës midis njëmijë halleve që mund të sjellë jeta, dhe ideja për të ecur përpara për të mos u dorëzuar në asnjë moment të vështirë të jetës. Të bukurën duhet ta shohësh që në momentin kur lind dielli, e të jesh falenderus për çdo ditë që Zoti të mbush me frymë. Te një lule e çelur, te gjethet e vjeshtës, edhe te dëbora që zbardh në kohën e vet. Unë shpesh shkruaj dhe poezi për të gjetur veten në fushën e artit. Kam botuar dhe një libër me poezi, të cilin e kam titulluar “ Poezi në Laminor”. Pra, nota në të bukura.

Ju, në muajin shtator do të hapni ekspozitën tuaj në Nju Jork. Është e parë ekspozitë për ju, që do të hapet në kryeqytetin e botës. Çfarë do të thotë për ju, realizimi i këtij projekti?

Duke qenë se në këto 3 vite punimet e mia janë bërë shumë dhe janë pëlqyer edhe nga miqtë e mi, shikues apo profesionistë, me të cilet konsultohem herë pas here, mendova të hap një ekspozitë në Nyack, salla m’u dha në muajin shtator (shpresoj që deri atëherë, mos të ketë ndryshime), sigurisht duke menduar situatat në të cilat akoma ndodhemi të covid-it. Sigurisht që është e para ekspozitë, por me këtë, dua t’ju them se nuk ka rëndësi se sa vjeç je, unë sapo kam mbushur 57 vjeç, rëndësi ka që të kesh projekte dhe dëshira e ëndrra në vetvete dhe një ditë t’i bësh realitet.

Si e shihni veten në të ardhmen, në kuadër të pikturës?

Piktura është një nga zhanret e artit që unë pëlqej shumë. Besoj se lidhja ime me pikturën do jetë e gjatë , derisa duart të më punojnë. Gjej veten bukur në të, dhe ju fal gëzim dhe kënaqësi edhe të tjerëve.

Estela, të uroj suksese në ekspozitën tuaj. Do të dëshiroja të ndanit një mesazh të shkurtër për lexuesit, në formë këshille zemre.

Ju faleminderit për intervistën! Dua t’i them lexuesit, se populli shqiptar është një nga popujt me gjuhën dhe kulturën më të lashtë të botës, se kultura jonë është e larmishme, se dëshira për të ecur në jetë nuk duhet të shterojë, pavarësisht moshës, se ta shohësh jetën me optimizëm është në favorin tënd dhe të shoqërisë. Çdokush duhet të gjejë veten në bukurinë e gjërave të vogla për të kuptuar se ku do të shkojë me realizimet e mëdha. Mos u dorëzoni kurrë!

Intervistoi: Eneida Jaçaj Lamçe diasporashqiptare.al/

Rreth korcajone.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *