Home / Lajme / Dje 86-vjetori i lindjes së akademikut Rexhep Qosja

Dje 86-vjetori i lindjes së akademikut Rexhep Qosja

Akademiku Rexhep Qosjes feston sot ditëlindjen e tij të 86-të. Veprimtaria e tij e gjatë shtrihet si shkrimtar, kritik letrar, historian i letërsisë shqipe, publicist e veprimtar shoqëror e kombëtar, ndër më të shquarit, më të mprehtit e më kurajozët që bota shqiptare ka shprehur prej një shekulli e këndej.

Akademik Rexhep Qosja është anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë
I pajisur me një erudicion të rrallë, me metoda, koncepte e teknika të sprovuara të analizës shkencore e të krijimtarisë letrare, akad. Qosja ka hedhur dritë të re dhe origjinale mbi proceset e jetës letrare, kulturore e mendore të popullit shqiptar. Epoka fatlume e Rilindjes Kombëtare ka qenë objekti i preferuar i interesit shkencor të akad. R. Qoses.

Falë analizave të mprehta e gjithëpërfshirëse, ai ka rrokur thelbin e rëndësinë ekzistenciale të asaj periudhe historike, kombformuese e shtetformuese, ka skalitur në mënyrë mjeshtërore profilet e përfaqësuesve më domethënës të saj, të J. De Radës, N. Frashërit, F. Konicës, Asdrenit, Gj. Fishtës, F. S. Nolit e të tjerë. Studimet, krijimtaria letrare dhe publicistika e akad. Rexhep Qoses dallohen për akribinë shkencore, mprehtësinë e gjykimit, për përzgjedhjen e tematikës ku autori parashtron shqetësimet e tij sociale e kombëtare, për përdorimin e një shqipeje të pastër e të qartë dhe të një stili të rrjedhshëm.

Romanet e prof. Qosjes, nga romani “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, një roman i hershëm i postmodernizmit në letërsinë shqipe, deri tek romani “Bijtë e askujt”, i përcjellin lexuesit përjetime emocionale të një intensiteti të jashtëzakonshëm. Pas historive e dramave të personazheve të veçantë, në romanet e prof. Qosjes shpaloset historia e drama e një populli të tërë.

Prof. Rexhep Qosja i ka bërë një shërbim të çmuar historisë së Kosovës dhe asaj mbarëkombëtare nëpërmjet serisë shumëvëllimëshe të shkrimeve dëshmuese, ku regjistrohen besnikërisht zhvillimet e tre dekadave të fundit të shek. XX. Në cilësinë e dëshmitarit e gjithashtu të protagonistit, ai evidenton me saktësi ngjarjet që shënuan historinë moderne të Kosovës, nga vendosja e lidhjeve gjurmëlënëse kulturore e shkencore mes Kosovës e Shqipërisë në vitet 1970-1980, tek demonstratat e studentëve të Prishtinës e të qyteteve të tjera të Kosovës në mars-prill 1981, tek intensifikimi i represionit serb e për rrjedhojë tek fillimi i qëndresës së armatosur të rinisë shqiptare të organizuar në UÇK, dhe në fund tek ndërkombëtarizimi i problemit të Kosovës, që u materializua me organizimin e Konferencës së Rambujesë e me ndërhyrjen e NATO-s e çlirimin e saj.

Me intervistat e artikujt e tij kritikë në mediat e Kosovës e të Shqipërisë, Rexhep Qosja ka qenë një zë i veçantë, një denoncues kurajoz e i pamëshirshëm i abuzimeve dhe i shkeljeve të demokracisë. Në vitet 1990 manifestuesit shqiptarë e filluan betejën për një rend të ri duke u frymëzuar nga vepra e nga këshillat prej prof. Qosjes. Fjala e tij vazhdon të dëgjohet me interes e respekt për sa kohë promovon interesat e kombit shqiptar dhe ardhmërinë europiane të tij.

Rreth korcajone.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *