Një ngjarje e rëndë u regjistrua mëngjesin e sotëm në Devoll, ku një person u gjet i pajetë në një përrua të fshatit Grapsh. Sipas të dhënave të policisë, mësohet se ky shtetas është emigrant i paligjshëm.
Prej te paktën 4 ditësh emigranti ishte lëne pas nga grupi me te cilin udhëtonte për shkak se fizikisht nuk kishte mundur te ecte me tej, ndërsa policia kishte nisur ta kërkonte ne këtë zone.
Trupi i pajetë u dërgua në morg dhe pritet përgjigjja e ekspertizës mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun .
Sipas dëshmisë së kryeplakut të fshatit dhe disa banorëve të zonës, ky shtetas prej dy ditësh ishte shpallur në kërkim nga policia kufitare, pasi disa emigrantë kishin bërë denoncimin se kishin humbur të afërmin e tyre.
Dyshohet se ngjarja ka ndodhur aksidentalisht teksa viktima ka tentuar të kalojë përroin. Siç shprehen edhe banorët, fshati Grapsh shërben si pikë kalimi për shumë emigrantë.