Kryefaqa / Lajme / Paguajnë kredinë e shtëpisë por vazhdojnë të rrinë me qira, drama e familjeve që kanë blerë hyrje tek ky kompleks

Paguajnë kredinë e shtëpisë por vazhdojnë të rrinë me qira, drama e familjeve që kanë blerë hyrje tek ky kompleks

U bënë 3- 4 vjet tashmë, që ka paguar shtëpinë e re. Jeton në shtëpi me qera, paguan kredinë për shtëpinë e re dhe nuk hyn dot në apartament. B. M. nuk do të identifikohet, është një nga banorët e mbetur pa shtëpi për shkak të konfliktit në pallatin e rrugës Ndre Mjeda, mes dy ish-ortakëve Sino Llanaj dhe Albert Allmuça.

Me dy fëmijë, në pritje të zgjidhjes së konfliktit, tregon për shpenzimet dyfishe që prej vitesh është i detyruar të paguajë. Nxjerr çelësat e shtëpisë së re nga xhepi, si e vetmja dëshmi e vlefshme që është pronar i saj. E ka blerë tek Sino Llanaj, ortaku në minorancë i ndërtimit, që është futur në konflikt me Albert Allmuçën për një borxh prej 3 milionë eurosh.

“Kam rënë dakord të kryej vetë 20 për qind të punimeve, po nuk më lënë as të hyj”, thotë për Dosja.al.

Pranë tij janë një grup banorësh me të njëjtin fat. “Më lehtë hyn në Capitol Hill se në shtëpinë tënde”, thotë njëri prej tyre. Janë të moshave të ndryshme, me histori të ndryshme.

“Një burrë që e ka shtëpinë afër meje, nuk mundi të hyjë në shtëpinë e re, u sëmur dhe vdiq”, tregon B. M.

Po kalon një jetë e tërë në pritje, familjet ndryshojnë, humbasin dhe shtojnë pjesëtarë, nëpër shtëpitë me qera, pa mundur të shijojnë investimin e jetës së tyre.

“Nuk e di pse nuk më lënë të hyj, çelësat i kam unë, aty nuk mund të hyjë njeri tjetër”, thotë B.M.

Ai e di historinë e sherrit, e di se si të dyja palët, në vend të merren vesh, apo të lejojnë banorët të hyjnë, në pritje të drejtësisë, korruptojnë ligjzbatuesit që pezullia të vazhdojë pa afat.

Gjithçka ka ndodhur në oborrin e pallatit, që është një rrugë publike në fakt. Është bllokuar me kamionë, është rrethuar me llamarina, është blinduar me roje, si një shesh beteje. Edhe ata që kanë hyrë ndihen të pasigurtë.

Dy pronarët Llanaj dhe Allmuça kishin rënë dakord për ndërtimin e objektit brenda vitit 2019, por kontrata mes tyre ishte prishur dhe objekti nuk është ndërtuar, duke sjellë probleme jo vetëm mes dy biznesmenëve, por edhe me banorët, që vijojnë të jetojnë me qira.

Mësohet se edhe katër ditë më parë ka pasur një konflikt fizik mes tyre dhe banorëve, të cilët kërkojnë ndërtimin e pallatit sipas kontratës.

Rreth korcajone.al

Shiko gjithashtu

Video/ 58 vjeçari dergohet me helikopter në Tiranë

Një 58 vjeçar nga fshati Leshnicë është nisur me helikopter urgjent drejt kryeqytetit. 58 vjeçari …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *