Profesori Adrian Civici ka rrëfyer historinë e tij të jetës, nga rinia deri më tani që ka marrë titullin “doktor shkencas”. I ftuar në “Shqipëria Live”, ai ka rrëfyer se pasi ka mbaruar gjimnazin në shkollën “Sami Frashëri” u detyrua që të punonte pasi “partia” nuk e lejoi që të vazhdonte shkollën e lartë. Më tej, ai shtoi se vite më pas kreu studimet e larta në Kamëz dhe më pas u bë pedagog.
Ndër të tjera Civici, fitoi titullin doktor shkencash pas viteve ‘90 e dha leksione në Universitete të Evropës.
“Më duhej të mbushja kova me beton. Ishte shumë e vështirë si punë e mënyrë jetese, ishte shumë larg realitetit, aty kuptoje një botë tjetër. Një vit i tmerrshëm, shumë i vështirë e sidomos për një djalë 18-vjeçar. Ishte një ndryshim radikal pasi ne ishim mësuar me idenë e atij punëtorit ideal.
Aty mësuam edhe gjëra të tjera të cilat ishin shokuese, për shembull u bë një mbledhje për të demaskuar një punëtor 20-vjeçar që kishte dëgjuar muzikë italiane. Në Evropë është më e vështirë të bësh shkollë apo të ecësh se sa në Amerikë, sepse në Amerikë kur shkon të pyesin çfarë mund të bësh, kurse në Evropë të pyesin nga vjen e çfarë ke. Unë se njihja fare bujqësinë në fillim kur bëra studimet, por për shkak të rezultateve në fund të vitit u bëra pedagog. Në Shqipëri nuk janë rregullat e qarta, sepse këtu nuk triumfon i afti”, tha Civici.