Kryefaqa / Korca Turistike / Korça e vjetër / Spitali i Korçës, i pari në Shqipëri, u ngrit nga Mirahori 500 vjet më parë

Spitali i Korçës, i pari në Shqipëri, u ngrit nga Mirahori 500 vjet më parë

Nga Vepror Hasani

Deri më sot askush nuk e ka ditur. Korça kishte spital që 500 vjet më parë. Ishte ndërtuar nga vetë themeluesi i saj, Iljaz bej Mirahori. Qendra sociale, përveç hanit, mencës, furrës së bukës, dyqaneve ushqimore, shkollës për vajza dhe djem, Xhamisë së Madhe ku faleshin besimtarët, kishte patur edhe spital. Shërbimi u ofrohej njëlloj si myslimanëve dhe të krishterve, pa asnjë dallim. Kështu kishte vendosur Mirahori. Këtë të vërtetë e gjetëm te libri i studiuesit Nedai Thëllimi, “Ata lavdi Korçës i dhanë”, ku ndër të tjera shkruan: “Me t’u vendosur si pronarë në Korçë, Mirahori mori masa që kjo qendër- nyje e rëndësishme komunikacioni Veri-Jug e Lindje- Perëndim të rritet e të zhvillohet. Grumbulloi aty fshatarë pa dallim feje, të cilët i trajtonte mirë. Çeli një shkollë në gjuhën turke, një spital (Tavarzhane, ndoshta i pari në Shqipëri si i tillë), një mencë për të varfërit etj. (N.Thëllimi, “Ata Korçës lavdi i dhanë”, f. 4).

Fal shërbimit shëndëtësor që u ofrohej të gjithëve, falenderimet për Mirahorin ishin të shumta. Njerëzit që e njohën nga afër nuk besuan kurrë që Iljaz bej Mirahori ishte një njeri i zakonshëm. Gjithkush e pa si shenjtor. Ishte i pasur, por nuk dukej i tillë. Sillej si gjithë të tjerët. Nuk i mungonte asgjë, por ishte i gatshëm të falte gjithçka për njerëzit. Që kur kishte ardhur nga Stambolli, kish menduar vetëm për njerëzit, të pasur e të varfër, myslimanë e të krishterë. Edhe kur ishte në moshë të thyer punonte me parmendë. Nuk ulej në anë të arës për të parë të tjerët si i ngisnin qetë. Ishte njësoj si ata.

Jalldes Myteveliu, pasardhëse e mirahorëve, kujtonte: “Rustem beu, (vjehrri i saj), thoshte se Iljaz beu ishte shumë i njerëzishëm, popullor e mirëbërës. Ai përkrahte të varfërit si myslimanët e të krishterët. Kështu veproi më pas edhe Mehmet beu, që e kishte amanet nga i ati, të mos dehej nga pasuria, të punonte shumë dhe të bënte bamirësi sepse kështu do ta donin dhe respektonin të gjithë pa përjashtim…”. (Petrit Zeneli, “Myftar Grabocka dhe rrënjët e një fisi”, f. 251)

Mirahori miqësohej shpejt me të gjithë. Njerëzit e adhuronin. Banorët e fshatrave të vakëfeve Panarit, Treskë, Trebickë, Grabockë, Katund, Stratobërdhë u bënë miq të tij. Panaritasit, trebickallinjtë dhe vithkuqarët ngritën hanet e tyre në pazar të Korçës. Influenca e tij mbi territoret e krahinës shtrihej çdo ditë. Sami Frashëri shkruante: “…Mirahor Iliaz Beu konsiderohej si njeri i shenjtë. Ç’është e vërteta, për të tregohen gjëra të çuditshme…”.

Studiuesi Nuçi Naçi, në librin e tij “Korça dhe katundet për qark”, thotë: “Këto e shumë gjëra të tjera thuhen për Khoxha Mir’ahorë; sa rrojti vëndi e kish për të shenjt, por edhe si vd, iq nuk u-haruan të mirat’ e tij, nga ata që s’gjykojnë punët pas bese, po pas kombërije…”

Rustem Myteveliu (biri i Jalldezit), pasardhës i Mirahorëve, me rastin e riçeljes së Xhamisë më 20 janar 1991, kujtonte: “Pas vd, ekjes se Iljaz Beut, populli e shpalli Mirahorin si njeri të shenjtë dhe e varrosën me nderime madhështore pranë Xhamisë së Madhe, që ai vetë e kishte ndërtuar në Korçë…”

Një gojëdhënë që jeton ende, rrëfen: “Iljaz Mirahori ishte i vogël. E kishte zënë gjumi në një lëndinë të bukur. Vapa ishte e madhe. Një shqiponjë i bënte fresk mbi krye…”

Pasuria e Mirahorit nuk kishte të krahasuar. Pjesa më e madhe e saj gjendej në Kostandinopojë dhe në Janinë. Dekret e pronësisë së tij në këto dy vende nuk i njohim, dimë vetëm për atë pjesë që u kthye në vakëfe. Pronat e Shqipërisë nuk po i përmendim, pasi për to kemi shkruar më herët.

Vakëfet e Kostandinopojës dhe Janinës, përveç xhamisë ishin këto: në Janinë, 1 hamam dhe 2 mullinj:
Krejt hamami i vetëm me ujësjellësin në qytetin e Janinës.
Krejt mulliri i miellit me katër burime, në një ndërtesë të vetme mbi lumin Vole, në Varuninë e qytetit të Janinës.

Krejt mullirin me katër burime që ndodhet në një ndërtesë dhe me një gur të vetëm mbi ujë që quhet “Pretoka” dhe ndodhet në Varuninë e Janinës. Këtë mulli e cakton për mbajtjen e urës që ka ndërtuar vakëflënësi.

Vakëfet në Kostandinopojë, në lagjen e xhamisë së tij: 8 shtëpi
Lë vakëf krejt një shtëpi që ka një banesë përdhese e një banjë…
Lë vakëf krejt një shtëpi që ka një banesë përdhese me banjë…

Lë vakëf krejt një shtëpi që ka një banesë përdhese, një banjë dhe një qilar…
Lë vakëf edhe krejt një shtëpi me dy banesa përdhese, me një qilar e me banjë…

Lë vakëf edhe krejt një shtëpi me një banesë përdhese e me banjë …
Lë vakëf shtëpinë me një dhomë të vetme…
Lë vakëf edhe krejt një shtëpi me një banesë përdhese të një kauri…
Lë vakëf krejt një shtëpi me tri dhoma e me banjë, mbi njërën nga dhomat ka një çardak…

Vakëfet në Kostandinopojë, në lagjen e xhamisë së tij: 17 dyqane
Vakëflënësi lë vakëf edhe krejt 9 dyqane, njëri dyqan i kasapit…
Vakëflënësi lë vakëf edhe 8 dyqane…

Vakëfet në Konstandinopojë në lagjen “Ivlanka”: 9 dyqane, 2 shtëpi dhe 3 dhoma
Vakëflënësi lë vakëf edhe krejt dyqanin e bozaxhiut…
Vakëflënësi lë vakëf edhe krejt dyqanin e argjendarisë…

Edhe shtatë dyqanet që ndodhen në Konstandinopojë në lagjen “Ivlanka”.
Vakëflënësi lë vakëf edhe krejt një shtëpi me një banesë përdhese me qilar e me banjë..
Vakëflënësi lë vakëf edhe krejt tri dhoma që gjenden në oborrin e banjës me qark…

Vakëflënësi lë vakëf edhe krejt një shtëpi me dy banesa përdhese, mbi njërën nga të cilat
ka një çardak dhe një banjë….

Të gjitha këto që u përshkruan më sipër nga vakëflënësi i lartpërmendur me kufij, të drejtat, rrugët e kanalet ujësjellëse të brendshme e të jashtme e lë vakëf të saktë legal, të zbatueshëm e të vazhdueshëm sipas dispozitave të Sheriatit Islam dhe sipas procedurës e rregullit Muhamedan që është në fuqi. (Pjesë nga dekreti perandorak i kthimit të pronave në Vakëf)

Pra një pjesë të madhe të pasurisë e vuri në shërbim të njerëzve si në Konstandinopojë, në Janinë, në Korçë, në Berat e gjetkë. Spitali mbetet një dëshmi e mirë për kujdesin që tregonte ndaj njerëzve. Me ardhjen e Mirahorit, ishin të shumtë ata që përqafuan besimin mysliman. Panariti pothuajse e ndërroi besimin si fshat. Për të gjitha këto, armiqtë e tij dhe ziliqarët e kishin frikë. Para Mirahorit ata ndiheshin të pafuqishëm. Në prani të tij, veçohej qartë e mira dhe e keqja. Për këtë arsye pati edhe nga ata që u përpoqën për rrënimin e personalitetit në sytë e adhuruesve të tij. Nisën t’i thurrnin intriga, sikur ai po përgatitej të ngrinte krye kundër sulltanit.

Në lidhje me këtë histori të vërtetë, Nuçi Naçi në librin e tij “Korça dhe katundet për qark”, botuar në vitin 1901, shkruan: “Thuhet se ca vjet para vd, ekjes’ së tij, shumë trazime zunë e bëheshin më ca anë të Shqipërisë. Njerëz tradhëtorë q’e patnë zili për begatit’ e për të mirat që kish, duket që van’ e tradhtuan në Sulltani se: “një nga krye-ngritësit që ndihmon gjindjen (njerëzit) në ngritjen kundër qeveris Osmanase, është dhe Iljaz bej Beu”. Sulltani për këtë gjë, dërgoi një njeri të mbesuar të pallatit që të vijë mfshehtazi e të shihte ç’bën Iljaz Beu.

Njeriu i dërguar ardh msheftazi gjer në Korçë. (Ky tregim mbahet gojë pas goje gjer sot nga far’ e fis’ i tij, edhe nga ata e kemi dëgjuar). Kur u afrua nga an e jugës’ së xhamisë sheh ca bujq që lëronin në mes të tyre edhe një plak të veshur me rroba që mbanin vendasit; u qas edh’ i pyeti ku është shtëpi e Iljaz Beut, si dhe ndë ish Beu në shtëpi apo jo. Plaku, thonë, i cili ish vetë Iljaz Beu, i tregoj shtëpinë që rrinte, afër xhamisë, edh’ i tha të urdhëronte se atje do ta gjente Khoxha Mir’ahorin. I dërguari bashkë me kalërinë (kalorësit) që kish, u-nis për në shtëpinë që i treguan, edhe ay hyri nga njëra port’ e kurtit të shtëpisë; po nga ana tjetër hyri dhe plaku Mir’ahor ndë shtëpi, edhe u-la, u-vesh me rroba të mira, i doli dërgonjësit edhe e priti me nder të madh. I dërguari, si pa që ay plak, i cili i pat treguar shtëpin’ e Mir’ahorit, ish vetë Koxha Mir’ahori, u habit, edhe i çfaqi përse e pat dërguar Sulltani. Khoxhë Mir’ahorit nuk ju tremp fare syri, edhe i dërguari pasi ndenj e vëzhgoj gjithë sa desh, u- ngrit e vate në Sulltani e i tha gjithë ç’pa.” Sigurisht, intriga të tilla mund të thureshin vetëm nga njerëz të sëmurë.

Thjeshtësia deri në shenjtëri e Mirahorit, madhështia e tij, mirësia, por edhe shtati i lartë kuptoheshin nga reliket të cilat për shumë kohë u ruajtën në xhami të madhe: një këmishë prej teli hekuri të rrahur, e cila mund të rëndonte gjer në 10 okë, që mesa duket Mirahori e kishte përdorur gjatë lu, ftimeve në Turqi, një shkop i gjatë e me dobec në fund, sepse siç thonë ia kish ënda shumë bujqësinë, një anteri e bardhë e linjtë e me gajtanë të mëndafshtë, shumë e gjerë dhe e gjatë, gjë që na tregon se ka qenë shtatmadh, dy riza, me të cilat fshihej, të qëndisura me mëndafsh dhe një krehër i brinjtë, me të cilin krihej.

Krehri, meqë i ka dhëmbët të rrallë e të trashë, na tregon se do ta ketë patur perçen të gjatë, Ka patur edhe një palë tespi të zeza, të shkuara në një gjalmë të mëndafshtë, tri lugë, që një nga këto është e brinjtë, ndërsa dy të tjerat të drunjta e të qëndisura me tel shumë të gjerë. Ka qenë njeri me shtat të madh sikundër na tregojnë rrobat e tij, por edhe shkopi, i cili ishte i gjatë afro tre kute të sotme”.
Edhe pse që nga atëherë kanë kaluar më shumë se 500 vjet, ai sërish nuk i ngjan një njeriu të harruar, duket sikur është një mik që e ka marrë malli për të gjithë. Bëri shumë për njerëzit, por ndërtimi i spitalit mbetet një nga veprat më të mira të tij.

Rreth korcajone.al

Shiko gjithashtu

U gjet i pajetë në një nga rrugicat e Korçës, burri po kthehej në shtëpi…

Një person u gjet i pajetë ditën e sotme në qytetin e Korçës, në një …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *