E mërkurë , Dhjetor 11 2019
Kryefaqa / Lajme / Solistja e grupit Nostalgjia: Si përfundova nga këngëtare në pjatalarëse në Athinë

Solistja e grupit Nostalgjia: Si përfundova nga këngëtare në pjatalarëse në Athinë

Nga Vepror Hasani

Korçë- “U ula në një cep të kuzhinës dhe nisa të qaja në heshtje. Ndihesha tejet e dëshpëruar. Jeta ime nuk kishte qenë gjë tjetër veçse një zhgënjim. Endrra ime se një ditë do të bëhesha këngëtare e madhe kishte marrë fund. Nuk kisha më asnjë shpresë. Lotët nuk po më mbaheshin më. Nuk isha e sigurtë nëse isha unë ajo që doja të qaja apo lotët donin të rridhnin vetë. Qanin për mua. E ndjeja veten të lodhur dhe të vetmuar Kështu e nis rrëfimin e saj solistja e grupit “Nostalgjia”, Jorgjeta Lalazi, këngëtarja e njohur e qytetit të Korçës. Në ato çaste të trishtuara gjendesha në një nga lokalet e Athinës në Greqi. Kisha mbërritur aty në fillim të viteve ’90 me shpresën se do të këndoja në skenat e mëdha të këtij vendi, por në të vërtetë kisha përfunduar në një pjatalarëse. Tashmë isha bindur se e kisha të pamundur që mund të hyja në rrethet artistike. Athina ishte një qytet i madh, nuk dija ku të shkoja, ku të trokisja, cili ishte ai që mund të më ndihmonte. Aty gjithçka ishte e panjohur për mua dhe unë isha veçse një e huaj. Kasha filluar të ndihesha e frikësuar.

Pjatat
Pjatat e palara vazhdonin të më prisnin mua, pronari i lokalit mund të hynte nga çasti në çast dhe do të fillonte të më bërtiste. Vetëm gjysmat e fjalëve kisha nisur të kuptoja, por kur ai thoshte “hajde, fige malaka” e dinin të gjithë që ishte duke thënë “dil nga lokali”. Kjo do të thoshte të gjendeshe mes katër rrugëve. Atje askush nuk të pyeste: “Përse qan Jorgjeta?” Sa herë më pyesnin, ku ke punuar më parë, u përgjigjesha, jam këngëtare. Pastaj prisja që ata të habiteshin, të më pyesnin me kërshëri, si është e mundur që ju të punoni pjatalarëse, do të të ndihmojmë ne të fillosh përsëri si këngëtare, por në të vërtetë nuk nodhte kështu. Kishte qenë vetëm një iluzioni im. Tashmë ndihesha e lodhur dhe lotët nuk po më mbaheshin, por nuk kisha asnjë rrugë tjetër, duhej të ngrihesha e të laja pjatat. U ngrita. Pjatat me të cilat mund të kishin drekuar artistë, këngëtarë, regjisorë, njerëz të artit, biznesmenë po i laja me lot. Për ta unë do të mbetesha gjithnjë e panjohur. Bota paskësh qenë e egër. Nuk isha në gjendje të merrja asnjë vendim, nëse duhej të shpresoja ende, apo të ikja nga ai vend një orë e më parë e të kthesha në familje, duke u thënë mes lotëve: “Erdha sepse nuk jam e zonja të përballem me botën. Jam e pafat”

Familja
Në të vërtetë gjithë njerëzit e familjes më kishin thënë, Jorgjeta mos ik, rri këtu në Korçë, por në vitet ’90 institucionet kulturore kishin filluar të mos funksiononin. Njerëzit e artit po mbeteshin të papunë. E nesërmja dukej edhe më e pashpresë. Bota përtej për ne shqiptarët vazhdonte të ishte një ëndërr e madhe, ku të gjithë dëshirat mund të të realizoheshin si me shkopin magjik. Kur vendosa të ikja, u shkreha në lot dhe dhimbje. Korça kishte qenë e dashur për mua. E dashuroja gjithçka në atë qytet, por më duhej të ikja, të ikja diku larg për të treguar talentin tim, zërin dhe shpirtin tim. Fundi kishte qenë dëshpërues. Përfundova në një pjatalarëse. Laja pjatat dhe kujtoja jetën time. Kur isha e vogël, para se të flija, babai më vinte në gjumë me violinën e tij. Kështu bënte çdo natë me fëmijët e vet. Ne ishim shumë fëmijë: Andoneta dhe Keti studiuan për mjeksi, edhe Elsa punonte në një nga spitalet e Tiranës, Aliqi u bë piktor, kurse Koçua përfundoi shkollën mekanike. Vetëm unë kisha zgjedhur këngën si të ardhmen time të vetme. Rridhnin nga një familje aristokrate me shumë emër në qytetin e Korçës, por jeta qenka me shumë të papritura.

Me Verdin
Në ato ditë dëshpërimi, vështrimi i babait më ngatërrohej mes pjatave. Dukej sikur më thoshte, kthehu Jorgjeta. Doja që atë çast të isha e vogël, që kur të shkoja për të fjetuar babai të merrte violinën dhe të më vinte në gjumë me Verdin apo Nabukon. Ai luante me mjeshtëri edhe në kitarë dhe mandolinë. Tingujt e muzikës më çonin në një botë tjetër, që nuk kishte asgjë të ngjashme me botën tonë. Violinën vazhdoja ta dëgjoja edhe pasi më kishte zënë gjumi, edhe pse babai ishte larguar nga dhoma ime në majë të gishtave për të mos më zgjuar. Edhe kur hapja sytë kisha po atë ndjesi të bukur që më kishte çuar në hapësira pa fund. Kisha udhëtuar bashkë me Verdin. Nga fisi ynë gjithnjë kishin dalë njerëz të dashuruar pas artit. Vasilika Lalazi (Bimbli) kishte qenë një nga këngëtaret më të njohura të Korçës. Këndonte dhe kopozonte. Kënga e saj, “Sikur të deshte zemra jote” u bë e famshme për të gjithë. Djali i tim vëllai, Koços, Kristi Lalazi, luan në kitarë, edhe djali tjetër i tij është instrumentist. Gjergji Lalazi, kushëriri im luan me violë në skenat më të mëdha të Gjermanisë. Aktori Pandi Rraidhi kishte dalë nga fisi ynë, Thanas Kondili, kushëriri i nënës time ishte një nga pionierët e serenatës Korçare. Vetëm jeta ime nuk po merrte udhë. Duket se kisha humbur në kujtimet e mia. U përmenda vetëm kur dëgjova zërin e pronarit të lokalit: “Ela grigora!” E mora vesh, më kishte thënë të luaja duartë. Upërpoqa të fshija lotët dhe të laja pjatat

E papritura
Vazhdoja të isha e dëshpëruar. Nuk kisha asnjë mundësi të takohesha me njerëzit e artit. Më kot shpresoja. Pronari vinte çdo mëngjes dhe jepte porositë e tij. Kërkonte vetëm punë. “Dhulja… dhulja”, përsërishte vazhdimisht. Një mëgjes na tha se në lokalin e tij emigrantët shqiptarët do të bënin një dasmë dhe ne do të kishin shumë “dhulja”, siç thoshte ai. Në mbrëmje u mblodhën shumë njerëz. Kishte mbërritur edhe orkestra, por unë nuk njihja asnjë prej tyre. Nusja ishte një vajzë e bukur nga jugu, edhe dhëndëri ishte një djalë i pashëm. Mendova përsëri për jetën time. Gjithnjë kisha dashur të zgjidhja punën time me këngën dhe pastaj të gjeja një djalë e të krijonim një familje të lumtur. Kur gjithçka ishte gati, dasma shpërtheu në këngë dhe valle. Dukej sikur gjithçka do të merrte flakë. Edhe këngëtarët ishin të mrekullueshëm. U ula diku dhe nisa t’i ndiqja me vëmendje. Kënga më bënte të drithërohesha e gjitha. Kisha nisur të këndoja që kur isha në klasë të parë. Kisha marrë pjesë në të gjitha festivalet e fëmijve dhe çdo vit isha vlerësuar me çmime. Këndoja me shoqen time Alma Subashi, me Astrit Koçibellin, me Afërdita Laçin, me Arsen Buzalin, me Ilir Qafzezin etj Tasi Poda ishte udhëheqës artistik, Abaz Hajro dirigjonte, kompozonte dhe luante në fisarmonikë, Pavllo Sholla ishte drejtor i festivalit. Deri atëherë fëminia ime kishte qenë e mrekullueshme.

Dasma
Dasma e shqiptarëve dukej sikur nuk do të përfundonte kurrë, kur kishte kaluar mesnata, nisën të këndonin të gjithë. Doja të ngrihesha edhe unë dhe t’u thosha nëse mundesha të këndoja një këngë, por nuk kisha kurajo. Kërkesa ime po më ngjante me një marrëzi. Ata ishin në qejf të tyre, por mua nuk po më mbante vendi. U bëra gati disa herë të ngrihesha dhe përsëri nuk lëviza. Deri para se të vija në Greqi kisha kënduar gjithë jetën time. Në Korçë kisha filluar punë në filarmoninë e qytetit, punoja edhe si aktore në teatrin e kukullave. Atëherë isha 22 vjeçe. Megjithatë doja që atë natë të këndoja një këngë. Iu luta një shoqes time, pjatalarëse që të shkonte dhe t’i pyeste, nëse unë mund të këndoja një këngë. Çuditërisht ata e pritën me kenaqësi kërkesën time. U ngrita nga vendi dhe nisa të ecja drejt tyre, ashtu siç bëja gjithmon kur ngjitesha në skenë. Sa herë dilja në podiumet e Korcës, nisja të dëgjoja duartrokitjet. Lumturi më të madhe nuk kishte. Nisa të këndoja një këngë dasme. Në fillim dasmorët heshtën. Nuk po kuptoja nëse po pëlqehesha prej tyre apo po mendonin se unë isha një vajzë e krisur, por u deshën vetëm pak çaste që unë të ndjeja vështrimin e ngrohtë të tyre. Të rinjtë dolën në valle. Pastaj dëgjova duartrokitje si dikur. “Edhe një tjetër, edhe një tjetër”, ishte zëri i dasmorve. Këndova edhe një këngë të dytë. Pas kësaj nisën të më pyesnin se ku kisha punuar më parë. Përgjigjja ime ishte si gjithnjë: “Jam këngëtare”, me shpresën se dikush prej tyre do të më ndihmonte. Kësaj radhe nuk isha gabuar. Ata njihnin një grup këngëtarësh shqiptarë dhe unë mund të bëhesha pjesë e atij grupi. “Je një këngetare e mrekullueshme”, më thanë Kjo ma ngrohu zemrën. Ne heshtje urova çiftin që më solli mbarësi të kishte një jetë të gjatë dhe të bukur.

Këngëtare
Të nesërmen i lashë pjatat dhe dola nga lokali, ku dëgjoja të thuhej vetëm dhulja… dhulja… Punova si këngëtare deri në vitin 2003. gjatë kësaj kohe bashkëpunova edhe me grupin e Vaso Lenos, të Ilir Tasellarit dhe Nasi Shollës. Pas kësaj u ktheva në Korçë. Nuk e di nëse do të kisha ndënjur më shumë ose jo, por atë kohë me erdhi një ofertë nga grupi “Nostalgjia” i Korçës që përbëhet nga Robert Bakllamaja, Piro Viso dhe Agron Xhemo, instrumentistë dhe këngëtarë. Unë do të isha solistja e grupit. Nuk kisha si ta refuzoja. Nostalgjia është një nga grupet më të mira të emigrantëve. Zoti kishte filluar të më shihte më një sy tjetër. Nuk kisha ndërmend të lotoja më. Tashmë do t’i përkushtohesha ëndrrës timë që kishte fillur të merrte krahë që kur unë isha fare e vogël. Me t’u kthyer në Korëë do të më propozonin për të punuar sërish në teatrin e kukullave. Tashmë punoj me Ligor Rizën, regjisor, me Natasha Andonin, me Xhorxhi Koten etj dhe me aktorët profesionistë të teatrit të Korëës, por pa u shkëputur nga grupi “Nostalgjia”. Sigurisht jam e ftuar ëdo vit edhe në shumë dsma të Korëës. Ndoshta arrita tia dal mbanë.

Në shtëpi
Mbërritja në shtëpi ishte kënaqësia ime më e madhe. Edhe tani çëdo mbrëmje kur shkoj për të fjetur, më duket sikur babai merr violinën dhe afrohet te krevati im për të më vënë në gjumë me shpirtin e Verdit. Jajm mësuar kaq shumë me ata tinguj sa më duket se nuk do të mund të ndahem dot kurrë. Në raste të tilla më kujtohet diçka e veçantë. Tërmeti i vitit 1960 e prishi shtëpinë tonë. Unë atëherë isha dy vjeçe. Doktor Skëndi, miku ynë i familjes, na strehoi në shtëpinë e tij. Kur erdhi mbrëmja unë nisa të qaja. Përpiqeshin të më qetësonin, por askush prej tyre nuk po mundte. Nuk dinin çfarë të bënin me mua. Qarja ime do të merrte fund vetëm kur nëna ime Afroviti do të hynte në dhomë. Pepina, gruja e doktor Skëndit i tha e alarmuar: “Vajza juaj do të jetë e sëmurë se nuk po pushon së qari, duhet të lajmëroj tim shoq që ta vizitojë”. “Jo, u përgjigj, nëna ime, nuk është e sëmurë, por ajo nuk fle dot pa dëgjuar tingujt e violins. Kështu e ka mësuar im shoq Raqi”. Pepina edhe deshi ta besonte edhe nuk deshi. Ajo ishte pianiste. Shkoj drejt pianos dhe nisi të luante diçka, duke vështruar nga mua se çfarë do të ndodhte. Të gjitha këto m’i ka treguar nëna ime. Me të dëgjuar tingujt e pianos kisha ulur zërin e të qarit, një çast me vonë kisha mbetur e heshtur dhe pak më pas, më ishin mbyllur sytë ngadalë-ngadalë duke rënë në një gjumë të thellë për të fluturuar si gjithnjë në hapësira të panjohura.

Shpesh shoh në ëndërr edhe dasmën e çiftit të emigrantëve, çastin kur ata luanin bashkë “Napoleonin”. Pikërisht në atë dasmë do të ndriste edhe ylli i fatit tim”, me këto fjalë e mbyll rrëfimin e saj këngëtarja e njohur e qytetit të Korçës, Jorgjeta Lalazi

Rreth korcajone.al

Shiko gjithashtu

Nusja braktis vajzën në shinat e trenit, gjyshja: Ta dëgjosh çupën të rrëqethet mishi…

“Historia ime” ka sjellë ditën e sotme historinë e pazakontë të një gruaje 60-vjeçare, e …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *