Ambasadori i Delegacionit të BE-së Luigi Soreca, përgëzoi dhe vlerësoi modelin e ndjekur në Korçë për zhvillimin e qytetit miqësor me fëmijët.
Soreca dhe drejtues të UNICEF zhvilluan një takim në bashkinë e Korçës për t’u njohur më nga afër me projektet që ndërmerr bashkia për të prommovuar aftësitë e fëmijëve.
“Korça, shembull i asaj që bashkitë duhet të bëjnë për të qenë miqësore ndaj fëmijëve. Pikërisht po të ndiqet ky proces që keni ndjekur edhe juve në të gjitha qytetet mund të zhvillohen aktivitete për të dëgjuar fëmijët”, ka thënë Soreca, shkruan korcajone.al.
Në Ditën Universale të të Drejtave të Fëmijëve, e cila shënon 30-vjetorin e Konventës së OKB-së për të Drejtat e Fëmijëve, Qyteza e Fëmijëve në Korçë u kthye në epiqendrën e festimeve.
Përmes aktivitetit me temë “Një botë me ngjyra – një botë të drejtash!”, fëmijët përcollën mesazhin që të drejtat e tyre të respektohen dhe përmbushen për çdonjërin prej tyre./korcajone.al