E shtunë , Dhjetor 14 2019
Kryefaqa / Korca Turistike / Korça e vjetër / Bashkimi i fshatit Peskëpi me qytetin e Korçës, projekt i Mirahorëve, – Nga Vepror Hasani

Bashkimi i fshatit Peskëpi me qytetin e Korçës, projekt i Mirahorëve, – Nga Vepror Hasani

Nga Vepror Hasani

Bashkimi i fshatit Peskëpi me qytetin e Korçës ishte projekt i mirahorëve. Vërtet Peskëpia me qytetin e Korçës ndahej vetëm nga një lumë, por ajo që mund t’i bashkonte realisht ishte hedhja e një hapi institucional dhe këtë gjë mund ta bënin vetëm Mirahorët, themeluesit e qytetit. Për të kuptuar më shumë si u shkua deri në njësimin e dy vendbanimeve, po u referohemi ngjarjeve.

Në fillimet e veta Peskëpia ishte një katund i vogël me dy lagje. Kishat ngriheshin të vetmuara, larg njëra-tjetrës, një këtu e një atje, mes arave ose në kodra. “Kisha e Shën Gjergjit deri në shek XVIII konsiderohej jashtë qytetit… Kisha e Shën Marisë, më e larguar nga ajo e Shën Gjergjit, deri më 1875 ngrihej në mes të arave. Po kështu edhe kisha e Shën Triadhës ndodhej jashtë qytetit, ndërsa kishat e Shën Thanasit dhe e Profet Ilisë ngriheshin në kodrat që kufizojnë qytetin nga ana lindore”. (Pirro Thomo, “Korça, urbanistika dhe arkitektura”, f. 49).

“Rrjeti rrugor tepër i parregullt dhe gjarpërues, i cili ruhet në një zonë të mirë të lagjes së vjetër, dëshmon për karakterin e lirë e spontan të zhvillimit urbanistik të saj… edhe kur banesat rrethohen me mure, ato janë të ulta, mbyllin një oborr të vogël përpara ose anash dhe lenë të soditen pamjet e banesës.” (Po aty, Pirro Thomo, “Korça, urbanistika dhe arkitektura”, f. 49).

Në këto kushte që gjendej fshati Peskëpi, bashkimi me Korçën nuk mund të ishte i afërt, por nëse ndjekim rrjedhën e ngjarjeve nëpër të cilat ka ecur Peskëpia, kuptojmë se Mirahorët e kishin patur Peskëpinë që herët në projektet e tyre. Në vitin 1713 Peskëpia numëronte rreth 300 shtëpi. Në këto kohë, tregtarët myslimanë të qytetit të Korçës me shpenzimet e tyre u erdhën në ndihmë banorëve të Peskëpisë. Në kodikun e Korçës, në dokumentin nr. 15, shkruhet: “Rufeti i tabakëve shtroi me gurë rrugën nga kisha e Shën Gjergjit, deri brenda në qytet”, pra deri në qytetin e Korçës. (Bëhet fjalë për rufetin e tabakëve myslimanë). Edhe në këtë kohë, kisha e Shën Gjergjit vijonte të qëndronte e vetmuar mes arave. Pak më poshtë saj, – aty ku ndodhej kazionoja qëmoti, – gjendej një poçaranë dhe më tej asgjë tjetër. Me ndërtimin e kësaj rruge, banorët e Peskëpisë, pasi të kishin mbaruar punë në tokat rreth kishës së Shën Gjergjit apo në poçaranë, mund të hynin në qytet nëpërmjet një rrugë të shtruar bukur me kalldrëm. Gjithçka investohej sipas projekteve të Mirahorëve. Fshati Peskëpi dhe qyteti i Korçës ishin prona të Mirahorëve që nga viti 1496.

Ndërkohë pati investime të tjera për ndërtimin e rrugëve me kalldrëm, pasi për Mirahorët Korça nuk mund të kuptohej me rrugë të zhytura në baltë. “Tradita e kalldrëmimit të rrugëve duhet të ketë filluar qysh herët, përderisa që në shek. XVIII mendohet për shtrimin e rrugëve jashtë qytetit, siç ishte ajo që lidhte kishën e Shën Gjergjit me lagjet e banuara.”(me qytetin e Korçës) (Pirro Thomo, “Korça, urbanistika dhe arkitektura”, f. 49).

Por Peskëpia sërish nuk e mori dot emrin “qytet”. Vazhdonin ta thërrisnin ashtu si më parë, me emrin e saj të zanafillës, – “Peskëpi”. Me këtë emër e gjejmë edhe në dokumentet zyrtare të vitit 1831. “Duke u rritur Peskopia u bashkua më në fund me Korçën, pozitën e së cilës nuk jemi në gjendje ta përcaktojmë me saktësi, por që, sidoqoftë, Korça ka shumë afër katundin e Peskopisë. Në dokumentet e mëvonshme ne gjejmë vetëm emrin Korçë, por në një akt të madh të mitropolisë, turqisht, të kodikut të Korçës përmendet edhe më vonë emri Peskopi”. (Petraq Pepo, “Dy dokumente mesjetare mbi Shqipërinë”, f. 273)

Dokumenti që përmend Pepo është ky: “Në vitin 1831, në një pronë të poseduar nga Cicoja, i biri i Denkë Çekanit, prej banorëve të Varoshit të vakëfit Peskëpi, mbi të cilin ne, me beratin e Sulltanit, jemi zotërues dhe myteveli, me trashëgimi direkte dhe me kusht nga stërgjyshi ynë i ndjerë Iljaz beu, ish – kara- mirahor, pronë kjo e kufizuar nga njëra anë… [vazhdojnë pastaj përshkrimet dhe përcaktimet noteriale dhe juridike, së fundi thuhet]… erdhën tek unë dhe më kërkuan t’u lëshoja flet posedimin (dokumentin pra të pronësisë). Edhe unë pra, me cilësi si myteveli i vakëfit të lartpërmendur [pra Peshkëpisë], mbasi mora pagesën e tokës sipas zakonit të moçëm, e shkrova këtë akt dhe ua dhashë në dorë të sipërpërmendurve. Xhafer Xhaferi. Myteveliu i Vakëfit të sipërpërmendur [pra të Peshkëpisë]…”. (Ilia Ballauri, “Korça Enciclopedica”, nr 8. f. 157).

Nga sa shihet, shndërrimi i Peskëpisë në qytet nuk ishte i lehtë. Mirahorët ndihmuan me investime të tjera. Ndërtimi i rrugës nga kisha e Shën Gjergjit deri te Pazari i Korçës nuk mbeti investim i vetëm. U ndërtua boulevard “Shën Gjergji”. Deri në vitin 1860, bulevardi që mban këtë emër, (pedonalja e sotme), sipas gazetës “Adriatiku” 9 shkurt 1917, nuk ishte gjë tjetër veçse një përrua i thellë që mblidhte ujërat e kodrave, të cilat i bashkoheshin lumit të Moravës diku aty ku sot ndodhet teatri “Çajupi”. Këtë përrua të thellë Mirahorët e shndërruan në bulevardin më të bukur të kohës. E shtruan me kalldrëm, me gurë të zinj e të lëmuar të sjellë nga lumi që kalonte aty pranë. (Edhe sot e kësaj dite vazhdon të mbetet shëtitorja më e bukur e Korçës). Nëpërmjet kësaj rruge, banorët e fshatit Peskëpi zbrisnin nga Mitropolia deri te kisha e Shën Gjergjit, ku bashkohej me rrugën e pazarit, që nga aty shkonin drejt tregut.

Ndërtimi i shëtitores “Shën Gjergji”, nxiti ndërtimin e banesave nga krahu i rrugës që ndodhej kisha e Shën Gjergjit”, (sot biblioteka “Thimi Mitko). Të shumtë ishin ata që erdhën nga fshatrat. Dyndja më e madhe e të ardhurve u shënua përgjatë viteve 1868-1873, të cilët krijuan “Lagjen e Re”. Para tyre vllehët kishin krijuar lagjjen “Barç”, sipër kodrave të Peskëpisë. Me ardhjen e banorëve të rinj, u bë e domosdoshme ndërtimi i një ure prej guri me qemer, pasi tashmë klientela e Pazarit të Korçës ishte rritur mjaft. Ura u ndërtua pak vite më parë nga viti 1890. Nga takimi i dy rrugëve; i rrugës së “Shën Gjergjit” me “Rrugën e Pazarit”, që tashmë kishte edhe urë, u krijua një shesh ku mund të tregtohej. Këtë rrugë banorët e Peskëpisë e kthyen në Pazar. Kështu u krijua Pazari i vogël i drithit. Nuk ka asnjë dyshim që të gjitha këto çfarë rrëfyem deri tani, kishin qenë pjesë e projektit të Mirahorëve.

Pazari i peskëpisë do të funksiononte si pjesë e Pazarit të Madh të qytetit të Korçës. Ky ishte një hap tjetë drejt bashkimit të Peskëpisë me Korçën. Cili ishte funksioni i këtij pazari e gjejmë të shpjeguar nga urbanistit Pirro Thomo: “I shkëputur mjaft nga ky, (nga Pazari i Korçës), buzë lumit, ishte Pazari i Vogël, ku tregtohej kryesisht bereqeti”. Në vazhdim të tij, një shesh i madh emërtohej Pazari i Bagëtive, pranë tij ishte vendosur thertorja”. Gjithashtu, në vijim të këtij informacioni, Thomo sqaron: “Funksioni i kësaj të fundit (pjesës së pazarit në territorin e Peskëpisë), ishte më i kufizuar (në krahasim me Pazarin e Madh), dhe veprimtaria në të kryhej kryesisht në një ditë të caktuar të javës, në ditën e pazarit”( të shtunave). (Pirro Thomo, “Korça, urbanistika dhe arkitektura”, f. 206 dhe 210).

Tashmë dikush mund të thotë: Po ju nga e dini që krijimi i pazarit të vogël dhe shkrirja e Peskëpisë me Korçën paskan qenë projekte të Mirahorëve?! Përgjigjja është e thjeshtë. Fill pas investimeve të përshkruara deri tani, ose më saktë nga takimi i dy rrugëve, i bulevardit “Shën Gjergji dhe i “Rrugës së Pazarit” fshati Peskëpi mori më shumë jetë. Pirro Thomo e përshkruan kështu: Në takimin e dy rrugëve u formua një shesh i vogël. Aty u ngritën një varg dyqanesh, hotelesh e hanesh, si hotel “Metropol”, “Telegraf” “Kostandinopol”, Kazinoja etj, pra ndërtime me një frekuentim masiv e të dendur. Nga fundi i shek XIX e fillim të shek XX, në këtë shesh u dendësuan edhe ndërtesat administrative Bashkia, Prefektura, Gjykata, Drejtoria e Financës, një farmaci…”. (Pirro Thomo, “Korça, urbanistika dhe arkitektura”, Tiranë 2012, f., 146)

Nëse e lexojmë me kujdes atë çka thotë Pirro Thomo, ku renditen institucionet si Bashkia, Prefektura, Gjykata, Drejtoria e Financës etj, kuptojmë që Mirahorët e kishin zhvendosur një pjesë të Qendrës Administrative nga “Lagjen e Lumit”, pranë Xhamisë së Madhe, në të majtë të rrugës “Shën Gjergji”, përballë me kishën “Shën Gjergji”. Korçën dhe peskëpinë vërtet i ndante një lumi, por pa një akt institucional nuk mund të bëheshin dot bashkë. Tashmë Mirahorët e kishin hedhur këtë hap.

Mirahorët nuk u mjaftuan me kaq. Të tjera investime kryen përgjatë bulevardit “Shën Gjergji” Përveç godinave qeveritare, u ndërtuan edhe shumë dyqane, hotele etj. Këto objekte gjenden të listuara në një dokument të vitit 1924, kur Mirahorët i nxorën në shitje:

Dyqane 12 në bulevardin “Shën Gjergji”
Dyqane 4 në udhën e “Shën Marisë”
Dyqane 10 në treg të Kasapëve
Dyqane 2 në “Udhën e Janinës”
Dyqane 3 në treg të Kovaçëve

Dyqane 2 kundrejt Argjendarëve
Dyqane 1 në treg të Saraçve
Dyqan 1 ngjitur varreve të Xhamisë së Iljaz bej Mirahorit
Hamam 1 kundrejt dybesë H. Uranxhi

Sikundër tregohet më sipër, pasuritë e Vakëfeve, dyqane etj, nxirren në ankand që sot gjer më 20 qershor kur marrin fund definitivisht. Kush dëshiron, le të adresohet në zyrën e Vakëfit. K. i K. Xhematit Korçë. Myftiu H.Jusuf. (“Gazeta e Korçës”, e shtunë, 24 maj 1924).

Një prej lokaleve u përdor si kinema: “Që njënatëzaj zuri të lozë qinematografi, ku përnatë po tërheq njerëz shumë me lodrat e bukura dhe të reja”. (Gazeta “Koha”, 18 shënëndre 1911).

Mirahorët e kishin ndërtuar edhe shtëpinë ku u ngrit flamuri i Krahinës Autonome të Korçës më 10 dhjetor 1916. Deri atëherë shërbeu si Prefekturë. Ishte thënë gjithnjë sikur kjo shtëpi ishte e Sugarëve, por tashmë nuk na rezulton të jetë më kështu. Themelet për ngritjen e shtëpisë së Sugarve u hapën në vitin 1923, që do të thotë se flamuri nuk kishte si të ngrihej më 1916!!! “Sipas vrojtuesve amatorë, ky mur (i rënojave të kalasë) i zbuluar më 1923, gjatë hapjes së themelive të shtëpisë së Sugarëve, ishte ndërtuar me gurë të zinj… (Sejdin Ramo, “Ilia Panariti dhe Korça”, f. 34).

Peskëpia u rrit me shpejtësi. Banesat u shtrinë nga kafeneja e “Plakocit” (birrari “Dinamo”), deri te “Shën Thanasi”, pra në gjithë shtrirjen e bulevardit të sotëm “Republika” në pjesën e sipërme të tij: “Edhe këtë verë më gjithë qerestetë e shtrenjta, shumë shtëpi po ngrihen. Mërgimtarët kur të urdhërojnë në Korçë do të çuditen, se tani qyteti nis që në kafene të Plakocit gjer në “Shën Thanas”. Lumi prapë do të ndërtohet me qerpiç, kështu pra, me pak kohë do kemi dy udhë të bukura anëve të lumit. (“Lidhja ortodokse”, e hënë, 31 maj 1910)

Me Peskëpinë ndodhi edhe një fenomen tjetër. Shumë nga ata që ngritën shtëpi në Korçë, i braktisën ato. U kthyen prapë në fshat, Shtëpitë e tyre mbetën pa kujdes, u bënë rrezik për njerëzit nga shembja e tyre. Bashkia e Korçës i dha zgjidhje situatës: Përgëzojmë Katundarinë, (Bashkinë), tonë për masat e mira që ka marrë për të xbukuruar qytetnë t’ënë. Mbolli shelgje, akacie në gjithë rrugët e gjera edhe do të mbjellë ku është nevoja. Shtëpi të vjetra që janë në rrezik, zuri t’i rrëzonjë për sigurim të gjindjes. Vetëm i heqim verejtjen që këtë verë të rregullonjë që edhe udhët të bëhen të drejta, ku të ndërtohen tani shtëpi të reja, (tani e në vijim) se është turp për planet e vjetme, që nuk sheh një udhë të drejtë! Hatëret duan lënë mënjanë kur është çështja për të xbukuruar qytetin! Tjatërsoj do të goditim (kritikojmë) sa të mundim. (Gazeta “Koha”, 24 shkurt 1911)

U vijua me kanalizime: Një nga veprat më të pëlqyera të Katundarisë t’ënë është kanali që bëri në rrugë të madhe të qytetit, kafene e Plakocit, (ish “Dinamo”), duke përmbledhur gjithë batakrat që rridhnin në këtë rrugë e qelbnin qytetin. Përgëzojmë z. Ahmet Efendi, kryekatundarin për këtë vepër edhe shprehim që të këtilla masa do të marrë e paskëtaj për të xbukuruar qytetin edhe ta ruaj nga sëmundjet. (Gazeta “Koha”, e diel 4 shënëndre 1911).

Fal përpjekjeve dhe kujdesit të Mirahorëve, Peskëpia mori pamjen e qytetit që quhej Korçë.

Rreth korcajone.al

Shiko gjithashtu

Kur nusja dhe dhëndri porosisnin kostumet e martesës, në Pazarin e Korçës

Nga Vepror Hasani Kur një djalë dhe një vajzë fejoheshin, shkonin në Pazar të Korçës, …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *