E mërkurë , Dhjetor 11 2019
Kryefaqa / Korca Turistike / Korça e vjetër / Kur nusja dhe dhëndri porosisnin kostumet e martesës, në Pazarin e Korçës

Kur nusja dhe dhëndri porosisnin kostumet e martesës, në Pazarin e Korçës

Nga Vepror Hasani

Kur një djalë dhe një vajzë fejoheshin, shkonin në Pazar të Korçës, porosisnin veshjet për ditën e dasmës. Donin që martesa e tyre të mbahej mend gjatë; mundësisht të mos harrohej kurrë; kostumi i dhëndrit dhe i nuses të ishin vërtet një çudi; t’ia kalonin kostumit të kolonjarëve, ta linin pas atë të Devollit, t’i habiste mokrarët e prespjotët e të mbushte gjithë zili çupat e Dardhës.

II

Deri ditën e fejesës çupat e Korçës i thurnin ëndrrat e tyre me grep, shtiza dhe gjilpërë; shpesh të ulura edhe në avëlmend. Qëndisjen e mësonin që kur ishin të vogla. Qëndisnin me mëndafsh të ngjyrave të ndryshme, me fije ari dhe argjendi, me perla (margaritarë), sumbulla të shkëlqyeshme (kopësa) e gurë të çmuar, me gajtanë vjene e penjë shumëngjyrësh, me gjyrmysh napolitan (fije e hollë ari ose argjendi; sërma), me otra (spango e trashë, e fortë, zakonisht e bardhë ose e verdhë) etj. Qëndismat i bënin mbi kadife, cohë, stof, atlas, allaxha (pëlhurë e ndritshme me vija e lule ngjyrash të ndryshme), faqell (kambrik), mëndafsh, tafta (pëlhurë e mëndafshtë, që rri si e ngrirë) etj. U qëllonte të qëndisnin edhe mbi stofin shahmeran të Stambollit e të Fllandrës e mbi kadifenë velluto, të cilat ishin shumë të shtrenjta, por edhe shumë të bukura. Ëndrrat i pikturonin me penjë në formën e zogjve, luleve, figurave gjeometrike, spiraleve, degëzave me gjethe, burbuqeve etj. Gjenin ngjyrat që ishin të modës: vjollcën, të gjelbrën dhe vishnjën, por nuk linin pas dore as ngjyrat e tjera. Thurnin kështu pajën e tyre. Qëndisjet dallonin në stil nga njëra krahinë në tjetrën. Tashmë çupat dhe djemtë jetonin shekullin e XIX, prisnin ardhjen e shekullit tjetër.

III

Çupat qëndisnin edhe për Pazarin e Korçës. Çarçafëve u qepnin dantellë anash, kështu i bënin edhe mbulesat, perdet, jastëkët, këmishët, shamitë e kokës, jakat, përparëset etj. Me gajtanë e tehri (zbukurim me dredha), qëndisnin jelekët, xhybin (veshjen e sipërme, të gjatë e të lirshme, lëshuar deri afër këmbëve), sakon, brezin etj. Thimi Mitko te “Topografia e Korçës”, v. 1834, shkruan: “Gratë e Korçës bëjnë shajak, napë, flokatë, gunë, velenxë për kafshë, shkorsa, qilima, pëlhurë, çorape, shirita të leshta, raki, sapun etj. Çorapet dhe velenzat e Korçës janë me nam dhe shiten më të shumtat në Kostandinopojë…”

Puna e tyre pëlqehej në shumë qytete të huaja. Prodhimin e sapunit e kishin mësuar që nga vitet 1500, kur Iljaz bej Mirahori ndërtoi rrobalarësen e Korçës. Shumë nga materialet e përmendura nga Mitko prodhoheshin nga çupat e fshatit: “Pjesa më e madhe e fshatarësisë vazhdoi t’i prodhojë vetë pjesët më të shumta të veshjes së përditshme, brenda ekonomisë së saj në bazë të industrisë tekstile shtëpiake, nganjëherë edhe me ndihmën e zejtarëve rrobaqepës ambulantë dhe të teknologjisë popullore (dërstilat e batanët dendësimin e pëlhurave dhe formimin e pushit, mënyrat tradicionale për të përgatitur pëlhurë të rrudhur, funde leshi me pala të dendur etj.” (Veshje në shekujt XIX-XX)

IV

Por, kur dita e dasmës afronte, shumë çupa dhe djem (nusja dhe dhëndri), shkonin te terzinjtë e Pazarit të Korçës ose i thërrisnin në shtëpi që t’u merrnin masën. Porositja e pajës bëhej në një nga ditët e shënuara të Zotit. Qepësit e rrobave, prestarët, modeluesit, qëndistarët etj, shërbenin me zell dhe përulje para klientit. Sërmaxhinjtë, qëndisnin me sërma të artë, të argjendë dhe të bakërt. Çupat e Korçës përzgjidhnin veshjen me këmishë të gjatë, me përparse; ku belin ua shtrëngonte një brez leshi i qëndisur bukur me fije ari dhe argjendi; sipër vinin dolloma të zbukuruar me mjeshtëri; jelekun e qëndisur me fije ari, me sumbulla argjendi e pafta të arta; çorapet prej leshi me lule; jeminijet (shamitë e kokës) etj. Sakaq çupat e Korçës shndërroheshin në nuse me pamje fisnikërie; kostumi u nxirrte në pah hiret mahnitëse të bukurisë. Kostumet ishin kaq të rrojtshme, sa më të mund të martohej edhe vajza dhe mbesa e tyre.

Në këtë rast bëhet fjalë për çupat myslimane, pasi çupave ortodokse që nga viti 1826 deri në vitin 1920 e më pas, me vendim të Mitropolisë, nuk u lejohej të vishnin kostume të kushtueshme, me ar e argjend, ndërsa gjyshet dhe gjyshërit e tyre gjatë shekujve XVII-XVIII, përdorën për veshje “mitanët, dollomat, zibonët (cibunët), anteritë e gjata, kaftanët, libadet, xhybet, kondoshët, binishët, qyrket, degërmitë, mahramat, mestet, jemenijet etj. …Shumë prej këtyre veshjeve edhe pse koleksionoheshin me stofra të impotuara si nga vendet e Lindjes, ashtu dhe nga Venediku e vende të tjera të Evropës, qepeshin nga mjeshtërit rrobaqepës të vendit, duke ndjekur prerjet e modës sipas modeleve të ardhura krejtësisht nga Stambolli”. (Veshja në shekujt XVII – XVIII)

V

Djemtë porosisnin fustanellë (fund prej pëlhure liri, endur në shtëpi, me pala). Tek të rinjtë dhe komitët përfundonte 5-10 cm mbi gju, te të vjetrit 8-10 cm nën gju. Për t’ia rritur fortësinë, për ta bërë më pak të dukshme në largësi nga ar, miku dhe për t’a bërë të pa depërtueshme nga uji, fustanella e bardhë zhytej në dhjamë deleje të tretur, thahej, dhe me hekur zjarri krijoheshin palat. (Referuar përshkrimit të Faik Konicës). Vishnin gjithashtu cibun (veshje e sipërme prej shajaku, e gjatë deri në gju, e hapur përpara, me gjysma mëngësh të çara poshtë); zgjidhnin cohën e dollomasë dhe të shallvareve (pantallona prej cope të leshtë a prej pëlhure të trashë, mjaft të lirshme, të gjera lart e të ngushta nga fundi i këmbëve); këmishë të bardhë, jelek të qëndisur me fije ari, brez me vija e ngjyra të ndryshme, çorape etj. Djemtë mund të porosisnin edhe kostumin prej pantallonaash të shajakta, të gjera sipër e më të ngushta te gjunjët, të preferuara nga komitët e Korçës.

Edhe në këtë rast bëhet fjalë për kostumet e djemve myslimanë, pasi që nga viti 1826 as djemtë ortodoksë nuk mund të vishnin kostume të qëndisura e të zbukuruara. Vajzat myslimane sillnin në pajë edhe jorganë, dyshekë, jastëkë, çarçafë, mbulesa, kuverta, peshqirë, qilima etj. Së fundi porosisnin edhe sepeten (arkë e vogël e zbukuruar me mjeshtëri ku nusja vinte pajën). Për gjithçka që kërkohej, terzinjtë bënin më të mirën.

VI

Sipas studiuesve etnografë, Korça përmendej që nga shek. XVIII për mjeshtëri të lartë në përgatitjen e veshjeve. Terzinjtë e Korçës kishin edhe përvojën e terzinjve të huaj. Kjo gjë ishte ndikuar edhe nga rrethanat. Në vitin 1783 Korça u bë pjesë e Pashallëkut të Ali Pashë Tepelenës; më1867 u përfshi në vilajetin e Selanikut, bashkë me Pogradecin, Strugën, Dibrën dhe Matin; që nga viti 1888 e deri në rënien e Perandorisë qëndroi në vilajetin e Manastirit; sanxhaku i Korçës përbëhej nga kazaja e Korçës, e Starovës, e Bilishtit, e Oparit, e Kolonjës, e Kosturit dhe e Hurupishtit: “Rreth mesit të shek. XIX në Shkodër, Prizren, Berat, Elbasan, Korçë e gjetkë kishte mjaft punishte ku punonin 5 deri 10 krahë pune, madje në disa prej tyre deri në 15 krahë pune”. (Zhvillimi ekonomik dhe shoqëror i Shqipërisë gjatë shek. XIX – fillimi i shek.XX, kreu II).

Sipas njoftimeve zyrtare turke: “Në vitet 80 kishte jashtë qyteteve: në kazanë e Korçës me 168 fshatra 1175 dyqane”. Pas Korçës vinte Berati me 175 fshatra dhe 360 dyqane; lista me renditje në zbritje përfundondonte me kazanë e Tepelenës me 61 fshatra e 35 dyqane. Korça, veçonte nga qytetet e tjera, numri i madh i dyqaneve në fshatra ishte i nxitur nga Pazari i Korçës.

VII

Kostumi i çupave dhe djemve të Korçës nuk përfundonte këtu. Pas terzinjve shkonin te kujunxhinjtë (argjendarët); blinin ose porosisnin unaza, vëthë, byzylykë, gjerdanë të kushtueshëm me florinj ose inxhi (margaritarë), karfica, kurora flokësh, merxhane qafe, (koral), sumbulla argjendi, togza, diadema, tëmthore, pafta mesi, rrip mesi me filigran, qostekë, stolitë e kokës etj.

“Stolitë tregojnë që gruaja është respektuar gjatë shekujve, tregon edhe që burrat shqiptarë janë bujarë, kanë pasur dëshirë ta stolisin gruan dhe gruaja ka vlerësuar vetëveten… në juglindje kemi punimin e argjendit me savat, tip pakti me derdhje, me rra, hje dhe punë me kalem. (Jorida Pasku, “Koleksionisti Lulzim Perati prezanton koleksionin e stolive të gruas shqiptare”).

Burrat mbanin stoli të tilla, si: silah (brez i gjerë lëkure, i zbukuruar me qëndisje të arta, ku vendosnin ar, mët e brezit; koburet); shpata me doreza argjendi, ar, mët e zbukuruara me ar dhe argjend etj, të cilat i blinin te dyqanet e dyfekxhinjve të Korçës; orë me kapak të praruar, qostek (zinxhir i hollë, i artë, i orës së xhepit, në krah të majtë të jelekut); kuti duhani të punuara me argjend, me teknikën e filigranit e të savatit, çibukë prej sedefi ose prej briri, cigarishte prej qelibari, tespihe prej fildishi, myhyr prej ari etj.

VIII

Që gjithkush të mbetej i kënaqur me veshjet e Pazarit të Korçës, karvanet vinin e shkonin nga njëri vend te tjetri: Follorinë, Kostur, Selanik, Konicë, Janinë e deri në Izmir, Edrene, Stamboll dhe gjetkë. Rruga që lidhte Korçën me këto tregje niste: Follorinë – Korçë – Ersekë – Leskovik – Përmet e deri në Sarandë. Në qytetin e Leskovikut ndahej një degë që shpinte në drejtim të Konicës, Janinës e më tej deri në Athinë. Kjo rrugë kalonte: Korçë – Qafa e Qarrit – Lubonjë – Pësar i Zi – anës Osumit – Novoselë – Bar, mash – Podë – Kabash i Shelegurit – Leskovik – Tri Urat e më tej në Greqi.” (Bardhyl Prifti, Kolonja dhe Leskoviku, f. 164).

Për t’u lidhur me Stambollin kalonin nga Selaniku. Në disa zona të Korçës porosisnin cohë të bardhë, të prodhuar në Brashovë (Rumani), që përdorej për tirq e mëngore. Shumë prej këtyre artikujve të veshmbathjes importoheshin tashmë jo vetëm për pordorim të shtresave të pasura, por edhe për shtresa më të gjera të popullsisë, sidomos për kostumin e martesës”. (Veshje në shekujt XIX-XX).

Tuxharët, (tregtarët e tregtisë së jashtme, të cilët jetojnë edhe sot në qytetin e Korçës), sillnin prej vendeve të huaja materiale për qëndisjeje, veshje etj. Në Korçë gjejmë edhe familjet e mëdha të Tabakëve, (mjeshtër të mëdhenj të regjjes së lëkurës), të Çakçirëve (prodhuesve të veshjeve prej shajaku të bardhë; tirqeve), Mejdanët (prodhues të veshjeve dhe pajave të nuseve) etj.

IX

Kostumi konsiderohej i përfunduar kur porositëshin edhe këpucët. Çupat dhe djemtë e Korçës priteshin me nderim nga këpucarët. Zanati i tyre, fillimisht kishte qenë ai i opingarit, pastaj i papuçiut, (ishte koha kur qepej gjithçka me dorë; pa thumba); tashmë kishin fituar zanatin e këpucarit. Çupat porosisnin pantofla të lehta e të sheshta, si gjurmashka, prej cope të leshtë a prej stofi përsipër; meste prej saftjani (me lëkurë të butë dhie); opinga të lëkurta, me ose pa xhufka, qosele (me lëkurë të regjur), ose telatina (me lëkurë të mirë e të butë viçi); shpesh edhe me retra (gjalmë i dredhur prej lëkure); kollanin me shkëlqim, çantën etj. Pas kësaj çupat shndërroheshin në zonja të rënda të Korçës.

Djemtë porosisnin opinga, me ose pa xhufka, me progje (me gozhdë ), ose pa progje. Këpucët e Korçës ishin nga më të njohurat, tregtoheshin në Vlorë e në qytete të tjera. Shoqata e Tragjasit, ndërsa flet për traditat e zones së vet, shkruan: “Po kështu (vishnin) këpucë me xhufka të Korçës ose opinga qosele të qepura me lak”. (Shoqata e Tragjasit, “Disa tradita dhe zakone, kapitulli II”)

X

Për gjithçka që ofronte Pazari i Korçës, çupat dhe djemtë ndiheshin krenar. Që nga gjysma e dytë e shek XVII, Korça mbante lidhje të forta me Beratin; nëpërmjet tij lidhej me skelën e Vlorës dhe të Durrësit. Në shek. XVII, kur Shkodra dhe Durrësi ngritën agjencitë e tyre në qytetet Durrës, Berat, Tiranë, Prizren dhe Ulqin, Berati çeli agjencitë e veta në disa qytet, por edhe në Korçë, që të ishte e mbrojtur nga konkurenca e brendshme. Rrugët që e lidhnin Korçën me Beratint ishin disa; njëra prej tyre kalonte nga Kolonja: “Korçë – Qafa e Qarrit – Lubonjë – Boshanj – Pësar i Zi – Shën Mërtir – Mulliri i Nukos – Melckë – Shkëmbi i Miçanit – Potom – Lugina e Osumit – Berat.” (Bardhyl Prifti, “Kolonja dhe Leskoviku”, f. 163)

XI

Kostumi i përfunduar ishte një mrekulli. Të tilla kostume gjeje ngado që shkoje nëpër Shqipëri. Çupat e Kolonjës, visheshin me fustan, cibun të bardhë, mbërthyer me pafta te vogla ari, shpesh visheshin me mollokof të shoqëruar me sako, me shumë zbukurimi prej ari dhe argjendi e çorape të bukura; të Mokrës veshjen e sipërme e kishin të bardhë, të qëndisur në pjesën e gjoksit, me çorape leshi të gjata e me ngjyra; të Devollit vishnin fustan prej stofi, jo të trashë, i gjerë në fund, i puthitur pas gjoksit dhe belit, me mëngë të ngushta dhe të gjata e me shami të zbukuruar me trendafila; çorapet me lesh deveje të tjerë hollë, ngjyrë vishnje, këpucët prej sholle me takë jo shumë të lartë.

Por më bukur nga kushdo tjetër, kostumin e shqiptarve e ka përshkruar Bajroni në letrën që i dërgonte nënës në vitin 1810: “Shqiptarët me petkun e tyre, më të bukurin në botë, me fustanellë të gjatë e të bardhë, tallaganë të qëndisur gjithë ar, me anteri e jelek kadifeje të kuqe qëndisur me ojna të arta, me jataganë e pisqolla të sermta …” (Shpresa Hoxha: Disa udhëpërshkrues anglezë mbi veshjen popullore shqiptare në Greqinë e shekullit XIX)

Marrë nga muri në facebook i shkrimtarit të mirënjohur, Vepror Hasani

Rreth korcajone.al

Shiko gjithashtu

Bashkimi i fshatit Peskëpi me qytetin e Korçës, projekt i Mirahorëve, – Nga Vepror Hasani

Nga Vepror Hasani Bashkimi i fshatit Peskëpi me qytetin e Korçës ishte projekt i mirahorëve. …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *