E mërkurë , Dhjetor 11 2019
Kryefaqa / Uncategorized / Tregimi për rrogën e parë që duhet ta lexojnë të gjithë të rinjtë: Kur merrni ju mbushen duart, kur jepni…

Tregimi për rrogën e parë që duhet ta lexojnë të gjithë të rinjtë: Kur merrni ju mbushen duart, kur jepni…

Nuk do ta harroj kurrë profesionin tim të parë. Me të mbaruar viti shkollor, i them babait:

– Dua të punoj.
– Çfarë pune do bësh?
– Nuk e di, por dua të punoj.
– Si të lindi kjo ide?

Dy vëllezërit dhe motra e kishin filluar punën në moshë të njomë. Unë doja t’u ngjaja atyre. As nuk e kisha idenë se çfarë mund të bëja dhe për çfarë më jepej më shumë.
Një fqinja ime më rekomandoi Kombinatin Ushqimor. Aty ajo ishte përgjegjëse. Më tha se në Fabrikën e Salcës kishte vende pune sezonale për periudhën e verës.

– Hë, si thua, a vjen… apo ke pretendime? – më pyeti Shqipja.
– Pretendime nuk kam, por çfarë duhet të bëj?
– Të riparosh arkat që përdoren për mbajtjen e kavanozëve.

Pranova. Të nesërmen fillova punë. Arma ime e parë ishte çekiçi. Nuk mbaj mend sa punova, por ama një gjë e kujtoj shumë mirë, rrogën time të parë. Ishte hera e parë që firmosja në bordero. Kisha fituar me djersë 2645 lekë. Për atë kohë nuk ishin pak. I mora, i palosa e i futa me kujdes në xhep. Mora të kthehem në shtëpi. Dorën e mbaja në xhep, për t’u siguruar më mirë për të ardhurat e mia. Kur mbërrita në shtëpi, lekët ia dorëzova nënës.

– None, mora rrogën.
– Uuu… të keqen nona. U bë çuni për rrogë! Shko te Kujtimi, shitësi i ushqimores, bli një 1 kg sheqer, 1 kg oriz, 1 kg miell, 1 pako makarona…
Ashtu bëra. Emocioni ishte në kulm. Më në fund, unë po bëja diçka për prindërit e mi, po i ndihmoja ekonomisë familjare.

Sot, kur shoh të rinj e të reja që punojnë më gëzohet zemra. Por, në ndryshim nga unë dhe nga bashkëmoshatarët e mi, ata punojnë për vete. Dhe ç’është më e keqja, ato që marrin nuk iu dalin se kanë një mal me shpenzime.

Nuk dua të fajësoj askënd, se çdo njeri vepron sipas zemrës, por sinqerisht të vjen keq kur sheh të rinj që prishin pa kufi, ndërkohë që ka prindër që diskutojnë se si të nxjerrin muajin. Ndiej keqardhje për këta të rinj. Ndihmoni familjen, sepse nuk keni vetëm të drejta, por edhe përgjegjësi. Prindërit janë përgjegjës, por jo shërbëtorët tuaj.

Duhet ta dini se kur merrni, ju mbushen duart, kur jepni, ju mbushet zemra.

Rreth korcajone.al

Shiko gjithashtu

Motra vjen nga Greqia dhe falenderon publikisht vëllanë: Bukën e fëmijëve të tij e ndan me fëmijët e mi

Historia e sotme në rubrikën “ Ka një mesazh për ty” në “E Diela Shqiptare” …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *