Kryefaqa / Korca Turistike / Fshatrat e Korces / Një dhuratë zemre për vendlindjen

Një dhuratë zemre për vendlindjen

-Mbresa nga filmi dokumentar i gazetarit shqiptaro-amerikan, Fuat Memelli : “Sinica- e bukura e Devollit”-

Nga Namik Selmani-Boston

Besoj se Fuati asnjëherë më parë nuk ka provuar emocionet e filmit dokumentar që ka shfaqur një ditë  maji në Korçë. Ishte një ditë e bukur si një muzike e ëmbël e zemrave të njerëzve të Sinicës së Devollit ku ai ka lindur para 7 dekadave. Ishte një ditë  zemrash e sinicarëve të larguar nga jeta, e atyre që e kalojnë ditën duke punuar, apo dhe të atyre sinicarëve që sot jetojnë në Korçë, Pogradec, Elbasan,  Tiranë, Boston , Cikago, Athinë, Kanada, etj. Pse jo, edhe të atyre që nuk kane lindur ende.

Ka kohë që ka punuar për  filmin  “Sinica- e bukura e Devollit”. Dhe e ka realizuar me shpenzimet e familjes së tij, kur shumë të tjerë punojnë me sponsor. Ka shkur disa herë në Shqipëri, në Korçë e në Sinicë, Veç Amerikës ku jeton prej 9 vjetësh, shkoi edhe në Greqi e Kanada për të filmuar sinicarët.

Akoma e kam në sy e në mendje trishtimin e tij se Sinica  e dashur nuk ishte përfshirë në listën e 100 fshatrave turistikë të Shqipërisë. Fort ishte mërzitur e, me maturinë që e ka si moto tërë jetën, kishte menduar që të bënin një peticion që t’ia dërgonin kryeministrit të vendit që t’i tregonin vlerat e Sinicës. E bëri letrën me dy sinicarë të nderuar që jetojnë edhe ata në Boston, Peshkop Ilia Ketrin dhe Prof. Niko Ketrin, duke e shoqëruar me plot foto e dokumenta. Me porosi të kryeministrit, mori përgjigje nga ish ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi, se Sinica do përfshihej në 100 fshatrat turistikë plus. U gëzua Fuati dhe gjithë sinicarët që ai njoftoi, por deri tani nuk ka asnjë reze drite. Ai dhe gjithë sinicarët thonë: “Le të bëhet rruga pasi për atë kemi nevojë, turistike e ka bërë Zoti Sinicën”.

Po përgjgjen më të mirë ia dha ai në një mëyrë krejt të veçantë. Shumë domethënëse. Më mirë se një mijë shkresa që vihen në dosje në protokollet e zyrtarëve dhe më tej… asgjë.

 

E për Fuatin  që bën të këndojë një beze e bardhë nga emocionet që ai përcjell në një film, nuk ka rëndësi nëse Qeveria do të mblidhej sërish që të rishikonin vlerat e Sinicës së tij.

Janë vlerat që ai shfaqi në filmin kushtuar  “Sinica-e bukura e Devollit” dhe që pati si portë të parë përurimi një dite  maji në Korçë. Sa bukur që të kishim nga një film dokumenar për fshatrat turistikë të Shqipërisë që kanë si model dhe filmin e Fuat Memellit! Po bënte atë që nuk e bënte edhe një ekip i madh që promovon vlerat turistike mbase shumë më tepër se ato fshatra që ishin në listën dhe që Sinicën e tij e kishin lënë “ prapa listës “ si thuhej dikur në një skeç  si Lipe Shtogun.

Shumë është lodhur Fuati për realizimin e këtij filmi. Shumë është lumturuar nga puna e bërë se ai kurrë nuk i ka bërë bisht punës.Vetë i është dashur të bëjë skenarin, të xhirojë , të jetë regjisori , pa e harrruar asnjëherë cilësinë. Se filmi nuk është si buka që, po u dogj, e bën një tjetër. Ai mbetet në jetë të jetëve. Me të ai ka kaluar testin e vërtetë të një artisti që di se  ç’bën dhe di se kush i mungon në veprën e tij.

E pa dyshim, duhej bërë një shkrim modest për filmin. Se na mbytën poezitë. Heshtim nganjëherë për shumë arsye për filmin që vjen  e ikën ashtu heshturazi, e që është sa qindra poezi. Si do ta quajnë zyrtarët e letërsisë, nuk ia ul vlerat filmit, por ia rrit dhe më shumë vlerat dhe informacionin rreth tij.

Filmi për vendlindjen, ishte pengu i viteve krijuese dhe të vetë jetës së Fuat Memellit. Ose ëndrra që i fanepsej gjer në përhumbje. Për Sinicën kishte bërë disa shkrime në gazetë, kronika, telereportazh, poezi, fletëpalosje, por jo dokumentar. Një shkrim i tij para afro 35 vjetësh ku fliste për vendbanimin e lashtë pranë Sinicës me emrin Selisht, u bë shkas për të shkuar aty arkeologët e Korçës. Të ndihmuar edhe nga fshatarët, ata gjetën aty byzylykë, heshta, zbukurime grash, etj. Bazuar në gjetjet arkologjike, ata bënë një shkrim në gazetë ku theksonin se ai vendbanim i përket shekullit të 7-6 para Erës së Re.

Kur foli atë ditë në premierën e filmit, kishte thene:”Kam realizuar shumë filma dokumentare, kam mare tre çmime në Shqipëri e katër në festivale ndërkombetare , por ky është filmi më i dashur për mua, është filmi i jetës sime”. Foli atë ditë në promovim, Olivert Topçiu, një nga anëtarët e Klubit “ Miqtë e Driteroit”.  Ndër të tjera ai theksoi :”Fuat Memelli është intelektuali e qytetari,aktivisti energjik i palodhur, gazetari e kineasti, poeti e publiçisti, Është një nga njerzit e mirë, aspak të rrallë që ka prodhuar toka e begatë e Devollit”.Tha edhe plot fjalë të tjera për veprimtarinë krijuese të Fuatit, por ky iu përgjegj: “ Më ke dhënë shumë grada Olivert, të cilat nuk i mbajnë dot supet e mi. Unë jam një sinicar i thjeshtë, si të gjithë bashkëfshatarët”.

Ai dhe ne të gjithë e dimë se para vendlindjes jemi që të gjithë nxënës të urtë të traditës dhe të së ardhmes e këtë ligj të pashkruar ua lëmë dhe fëmijëve tanë. E ka bërë filmin tërë jetën.

E ka bërë me poezitë e vëllimeve të tij poetikë dhe do ta bëjë përsëri me fjalën e tij të dashur. Disa nga poezitë e tij për vendlindjen si dhe të poetëve të tjerë sinicarë si Besnik Memelli e Maria Zefi, ishin  pjesë të dokumentarit. Me recitimin e spikerit të shquar, Xhelil Aliu, poezitë i shtuan emocionet tek shikuesit.

Mungonte në këtë përurim zëri dhe fjala e Dritëro Agollit, pasi e njihte Sinicën dhe ishte mik i Fuatit. Po të ishte gjallë, ai do të ishte në ballë ashtu si do ishte edhe për Menkulasin e tij po kaq të bukur. Do ishte bukur sikur të ishte dhe shkodrania- devollite, Sadije Agolli:

Veç shfaqjes në premierë, filmi u trasmetua edhe nga Televizioni Publik Shqiptar si dhe TV Korça. Fuati do ta shfaqë edhe në Boston. Se, edhe nëse mjaft miq të artit apo dhe te tij nuk kanë shkuar ndonjëherë në Sinicë, nuk kanë dëgjuar këmborët, zilet dhe këngët e sinicarëve, jam i sigurtë se secili ka një “ Sinicë” me vete. Është vendlindja që na sjell të gjithë nostalgjinë e së kaluarës dhe obligimin ndaj së ardhmes.

Dokumentari mbyllet me një poezi që ai ia ka kushtuar fshatit të tij që e ka shkruar në vitin 1982, titulluar: “Në vendlindje” : Dhjetra herë kam ardhur /e qindra herë do të vij / veç gjithmonë ndodh me mua /vij këtu të shmallem / dhe ik më i malluar….

Në film ai e ndan vlerësimin edhe me mjaft bashkëpunëtorë të tij sinicarë si: Perikli Panon, Ibrahim Memellin, Albert Hysollin, Eshref Memellin, Dailan Hysollin, Robert Memellin, Marijon Panon, Jorgji Themelin, Stavri Dimashin, Afrim Memellin, Pandora Ketrin, Niko Gutën, etj. Por ai nuk harroi të falenderojë në promovim mjeshtrat e montazhit Lulëzim e Esmeralda Sula, regjistruesin e zërit Marin Jançe si dhe spikerat e njohur, Elsa Xhai e Xhelil Aliaj, të cilët ia ritën vlerat filmit.

Një jetë e tërë të vjen në minutat e këtij filmi që ti nuk do të mbarojë .Në të janë bujqit e blegtorët, nënat, gjyshërit, djepet, lulet, zogjtë, vallet, shkolla, mësuesit e nxënësit e saj, sporti, luftrat, vdekjet, dasmat , odat….

Të gjithë mblidhen së bashku e na japin një enciklopedi të madhe të shpirtit dhe të jetës së sinicarëve, që këtej e tutje nuk do të mbesë anonime në rrjedhën e historisë pa këtë film të bukur, që është një dhuratë zemre për vendlindjen, e mbushur me art nga biri i këtij fshati, Fuat Memelli.

Source of the news: Illyria

Rreth korcajone.al

Shiko gjithashtu

Rama shkon në Floq

Kryeministri Edi Rama ishte në Floq të Korçës për një inspektim, aty ku një numër …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *