Kryefaqa / Korca Turistike / Korça e vjetër / “Shkodra dhe Korça, qytetet e dashurisë, ia merrnin edhe Tiranës”

“Shkodra dhe Korça, qytetet e dashurisë, ia merrnin edhe Tiranës”

Gjithmonë Korça dhe Shkodra kanë bërë krushqira, ilakara, siç e quajmë me këtë fjalë të vjetër turke. Në përgjithësi, si popull kemi patur shumë afri, qoftë nga kultura e përgjithshme, qoftë si dy qytetet më të kulturuara të vendit si dhe më të mëdhatë në tërësi, pas Tiranës, që ndonjëherë ia kalonin edhe asaj” – thotë shkrimtari i ndjerë Dritëro Agolli në një intervistë dhënë në 2006, ribotuar sot nga DITA.

Gjithmonë kur lidhej një vajzë korçare me një djalë shkodran apo anasjelltas, si shkodranët, si korçarët e quanin një lidhje martesore të gjetur. Ju si do ta shpjegonit këtë traditë si dhëndërr i Shkodrës? – e pyet gazetari në intervistën e transmetuar në atë kohë në TV Kopliku.

Dhe Agolli përgjigjet:

“Shkodra dhe Korça, dy qytetet që gjithmonë kanë patur lidhje shpirtërore mes tyre, që jepnin e merrnin nuse, apo që bënin dashuri, si qytetarë në lëvizje të përhershme, që për pasojë transmetonin të tilla lidhje mes njëri-tjetrit. Dhe pastaj lidheshin edhe me anë të tjera: Në Korçë botoheshin shumë revista, them para viteve ’40, por edhe në Shkodër, gjithashtu. Grupet e shkrimtarëve në këto dy qytete të mëdha të kulturës ndaheshin sipas anëve të progresit. Në Shkodër kishte shkrimtarë të shquar që mendonin për një botë të re, po edhe në Korçë kishte një revistë me emrin “Bota e re”. Gjithë këto kanë ndikuar edhe në krushqitë, që të merrnin rrugë të pandalshme, apo në dashuritë, sepse ishim njerëz që udhëtonim, pra gjallonim e jo njerëz të mbyllur”.

Ai tregon edhe për lidhjen e vet me bashkëshorten:

“Dashuria natyrisht nuk njeh kufizime, që të thuash në Shkodër, apo vetëm në Korçë do të bëheshin të tilla lidhje, sepse dashuria do të lindë edhe në një vend tjetër. Takon njeriun, njihesh! Kështu më ngjau mua me Sadijen. Më pëlqeu Sadija dhe unë i thashë: do të marr për grua. Kështu ne krijuam familje. Nga ana tjetër, këto lidhje ndihmonin të shtoheshin lidhjet mes ne, shqiptarëve. Lidhje Jugë-Veri, lidhje mes Veriut me Shqipërinë e Mesme etj. Shqipëria është një komb, një kulturë, ka të njëjtat zakone kudo, ka të njëjtën botë shpirtërore, një konstitucion shpirtëror. Këto e ndihmojnë shqiptarin që të mos jetë, thjesht, provincial, por të shkojë më larg, të bashkohet me të tjerët”.

Source of the news: Gazeta Dita

Rreth korcajone.al

Shiko gjithashtu

Rruga e parë në Shqipëri ishte ajo Manastir-Korçë, pak histori nga automobilistika shqiptare

Ramiz Fiçorri- Rruga e parë që është hapur në Shqipëri konsiderohet ajo e ndërtuar nga …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *