Kryefaqa / Speciale / MJALTI I MJALTIT TË MJALTIT…

MJALTI I MJALTIT TË MJALTIT…

Nga Agim Xhafka

Të mërkurë kisha vendosur që do shkoja në Korcë,tek babai dhe nëna. E kam zakon që sa kohë ndodhem në Shqipëri,thuajse një herë në muaj i “përqafoj” te varrezat. Rri goxha me ta,bëj muhabet. Me pyetje vetë e përgjigje vetë,por më duket sikur prindërit mbështeten atje në krah tim e duan të dinë gjithçka. Se ikën kur kisha vajzat e mija të vogla. Tani kam kater nipër e mbesa,jo aq të vegjël. Rrjedhin vitet dhe thuajse në moshë jam barazuar me ta. Nënën e kam kaluar,jam ca më i vjetër. Mos folë pa më marrë leje,e ngacmoj. Babai qesh e shton,mirë të thotë,dëgjoji më të mëdhenjtë. Mamaja qesh e lëshon thumbat e saj,edhe katragjysh të bëhesh je biri im përherë,i vogli im!
Kur vendos që do shkoj te prindërit ndjej gëzim. Më vjen nga malli i madh. Që shtohet e rëndohet nëpër vite. Kështu dhe këtë të mërkurë. Por në darkë,një ditë para,më merr në cel mbesa,Frida.
-Gjysh,nesër do vij nga ty. Do rri dy ditë!
Në raste të tilla përherë gëzohem. E kam thënë,çdo moshë ka dashuritë e veta. Asnjëherë zoti nuk ia le shpirtin bosh njeriut. Edhe Frida më lumturon,nuk më lodh kurrë e për çudi merrem shumë me të,por shlodhem,ndjehem shumë i rehatuar.
-Ok,zemër,mirëardhsh!-iu përgjigja.
Gruaja më pa pak me çudi.
-Hë?-e pyeta.
-Sikur nesër do ikje në Korcë,te babai.
E di ajo që kur vendos të shkoj te prindërit nuk më ndodh kurrë ta ndryshoj datën. Qameti të bëhet.Se më duket sikur i kam harruar dhe jam bërë i pandjeshëm,si ata fëmijë që mosmirënjohjen e kanë mbiemër të saktë.
-Do e anulloj. Do shkoj pas tre ditësh. Dhe do e rregulloj tani.
-Si?
-Ja,do i bëj një sms mamasë e babait. Po të duash dëgjoje dhe ti!- i thashë gruas e nisa të flas me vete:
“Të shtrenjtit e mij,
Prisja me gëzim të takohesha nesër,por diçka e rëndësishme më bëri ta shtyj ardhjen. Se stërmbesa juaj,Frida,do bujtë ca ditë tek unë. Pa do më tregojë per shkollën,për shoqet,per pianon,per vjershat. Pa do më përkëdhelë flokët,do më përqafojë dhe kur të flerë do më kérkojë t’i tregoj përrallën me Alajdinin,përrallë që e ka degjuar qindra herë,por ma kërkon nga që e di që ty baba të quajnë Alajdin. Pa do më puthë para se të flerë e në mëngjes do më tregojë tëk e tëk ëndërrat që ka parë.
Unë këto ditë do mbaj shënim çdo gjë të bukur dhe kur të vij te ju do ua lëçis avash avash atje mbi lëndinë.”
Ajo po rrinte si e ngrirë me sytë nga unë. E kuptova që i pëlqeu. M’u mbush dhe mua mendja se po bëja gjënë e duhur. E kam pasur zakon nëpër vite që në vështirësi shpesh pyesja veten:”Po babai si do vepronte?”
Edhe ai,njësoj si unë. Se shpesh e thosh për vajzat e mija kur i merrte në Korcë muajt e verës,janë mjalti i mjaltit. E këtë herë ai do ëmbëlsohet më shumë. Se Frida është mjalti i mjaltit të mjaltit. Nektar i gjallë,polen lulesh me shije dhe aromë. Ja,për tre ditë prisni e do t’u rrëfej hollësira,aq shumë sa nuk do të jetë çudi që të ngjalleni nga lumturia. Edhe tre ditë,sot iku,dy ngelën…

Rreth korcajone.al

Shiko gjithashtu

“Gjyshja mbushte gojën me raki dhe i spërkaste veshin që i dhimbte”, gazetari bën rrëfimin prekës

Nga Agim Xhafka  “Nëpër vite mbaj mend që babai ankohej për dhimbje veshi. Sidomos i …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *